“Skënder Kamberi më tha nuk bën për pikturë”, Meri File: Vendosa të studioja me orar të zgjatur

schedule10:31 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 10:31 - 8 Dhjetor, 2023

Piktorja e njohur, Meri File është kthyer pas në kohë dhe ka bërë një rrëfim emocionues për fillimet e saj në fushën e artit.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ajo tregoi se si në moshë shumë të vogël, gjyshi e dërgoi te miku i tij, piktori i nderuar Skënder Kamberi dhe ky i fundit i tha se nuk bën për pikturë.

Kjo bëri që Meri ta konsideronte si një sfidë që duhet ta kalonte dhe filloi të studionte me orar të zgjatur, deri sa u cilësua si nxënësja më e mirë.

Mësimet e para kanë qene në studion e skulptorit Skënder Kamberi. Gjyshi im ishte shokë i ngushtë me të dhe teksa zbriste shkallët më thoshte kur unë shkoja te ai, që eja të shkojmë dhe të shohim disa piktura të bukura. Unë kam qene në moshën 11-vjeçare e paditur ndaj artit, nuk dija të vizatoja, të jem e sinqertë dhe kur shkoj të takoj profesor Skënderin, i thotë gjyshit, le të ulet vajza dhe të vizatojë diçka.

Mbaj mend kur kam vizatuar trupat gjeometrikë, sigurisht që i bëra në mënyrë skandaloze. Ai filloi të qeshte, por njëkohësisht pa se si unë isha shumë e mprehtë për trupat gjeometrikë. Kisha një sfidë të parë, me profesorin. Në momentin që më thotë: ‘Ti nuk di të vizatosh’ dhe më vë notën zero. Për mua aty filloi lufta.

Duke qene e vogël nuk e kuptoja, por dalëngadalë e kam kuptuar që sfida është shumë e bukur brenda artistit. Të mundon, nuk është në qetësi, në paqe asnjëherë me veten dhe aty kuptova që kur shkoj në shtëpi, unë i them gjyshit që do të futem në kurs dhe do të shohë se si do të eci dalëngadalë. Dita ditës më vendoste notën 4, 5 dhe 6. Nota maksimale që më ka vënë ishte 8”, rrëfeu piktorja./abcnews.al