Gazetarja Etleva Delia, e ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar profilin profesional dhe sfidat e reja të Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si një figurë të përgatitur dhe me përvojë të konsoliduar në karrierën e tij.
Sipas saj, Hita ka qenë kandidat edhe në një konkurs të mëparshëm, por këtë herë është vlerësuar më lart falë rezultateve konkrete në punën e tij.
Delia theksoi se ai ka kaluar të gjitha etapat e nevojshme profesionale dhe ka arritur suksese të rëndësishme, përfshirë zbulimin e një grupi kriminal të konsideruar të rrezikshëm, si dhe hetimin e disa ngjarjeve të mëparshme.
Ajo u ndal gjithashtu te sfida aktuale që ai përballet, ajo e zbardhjes së zhdukjes së Ervis Martinajt, duke e cilësuar këtë si një provë të rëndësishme jo vetëm për Hitën, por edhe për SPAK. Në përfundim, gazetarja u shpreh optimiste për të ardhmen e tij profesionale, duke parashikuar një karrierë të gjatë për të.
“Skënder Hita ka qenë kandidat edhe në konkursin e mëparshëm. Kësaj here ishte vlerësuar më lartë. Është një person që ka kaluar të gjitha etapat në karrierën e tij. Është një person i përgatitur në këtë drejtim.
Ka dhënë rezultate puna e tij, ka arritur që të zbulojë një grup kriminal; që konsiderohej i rrezikshëm, dhe ngjarje të ndodhura më parë. Tani ka një sfidë më vete në zbardhjen e zhdukjen të Ervis Martinaj. Kjo është një sfidë edhe për vetë SPAK. Mendoj që do të ketë një karrierë të gjatë”, tha Delia.


