Skënder Gega nuk do të jetë më trajner i Partizanit për sezonin e ardhshëm. Lajmi u zyrtarizua nga skuadra kampione e Shqipërisë, që zbulon se trajneri u largua për arsye personale dhe palët u ndanë me mirëkuptim. Gega largohet nga Partizani pasi i riktheu titullin kampion pas plot 26 vitesh. Klubi i Futbollit Partizani falenderon trajnerin Skënder Gega për arritjen e fitimit të titullit të 16 “Kampion i Shqipërisë”, i cili u rikthye në shtëpi pas 26 vitesh.
Trajneri Gega ka një meritë të padiskutueshme në arritjen e këtij suksesi fantastik. Falë kontributit, punës, sakrificës, përkushtimit dhe disiplinës, Gega arriti të krijonte një grup triumfues, duke fituar respektin e lojtarëve, stafit drejtues dhe tifozëve të shumtë të Partizanit. Klubi saktëson se për arsyet e tij personale, trajneri Gega ka vendosur të ndërpresë me mirkuptim kontratën mes dy palëve, për të mos vijuar të jetë në drejtimin e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm.
Presidenti Gazment Demi dhe drejtori Olsi Rama dëshirojnë të falënderojnë trajnerin Skënder Gega, i cili pas suksesit si lojtar, arriti t’i dhurojë klubit një tjetër trofe kampioni edhe si trajner i Partizanit. Në njoftimin e skuadrës së Partizanit shkruhet: “Klubi falënderon trajnerin Skënder Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi rregjistroi në drejtimin e tij”.
Nuk ka vonuar as reagimi i trajnerit Skender Gega që konfirmon se largimi ka ardhur për arsye personale, ndërkohë që falenderon drejtuesit e skuadrës së Partizanit, stafin dhe tifozët për mbeshtetjen. Ish-trajneri tha:
“Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon në krye të pankinës të ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trajner, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Mbas 26 vitesh ja arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar. Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të pankinës. Dua të falenderoj: Klubin Partizani, Presidentin Demi për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë gjithë kohës, Drejtorin Olsi Rama për bashkëpunimin, të gjithë stafin, ekipin për punën dhe mbështetjen, për kënaqësin që më dhuruan, tifozët e mrekullueshem të Partizanit për mbështetjen. Gjithashtu dua të falënderoj mediat dhe gazetarët sportivë. I uroj të gjithë kolegëve të mi trajner suksese! Me shume respekt, Skënder Gega”.
Drejtuesit e skuadrës së Partizanit do të nisin menjëherë nga puna për të gjetur trajnerin e ri për ta pergatitur për ndeshjet eleminatore të Champions League./abcnews.al