Skënder Bruçaj në VOA: KMSH të mbrohet nga influenca turke, aty shërbejnë vetëm shqiptarë. Erdogani vuri në vështirësi edhe Ramën

schedule19:22 - 21 Janar, 2022

schedule 19:22 - 21 Janar, 2022

Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj e ka quajtur një akt të shëmtuar mungesën e pjesëtarëve nga KMSH, në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Në një intervistë të dhënë për VOA, Bruçaj tha po ashtu, se më shumë sesa një inaugurim, ceremonia ngjante si një miting i organizuar nga partia e presidentit turk.

“Fakti që në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut, nuk ishte prezent asnjë përfaqësues nga Komuniteti Mysliman është një akt i shëmtuar. Unë them që është një turp i protokollit të shtetit shqiptar. Unë besoj se më në vështirësi është ndjerë zoti Edi Rama, se imagjinojeni si një shtëpi, që të vjen një mysafir që të ka ndihmuar dhe ti do ta sejdisësh mirë, po ai ka shumë huqe dhe teka dhe ti e toleron që mysafirin ta përcjellësh.

Më mirë që s’ka qenë prezent Komuniteti Mysliman pasi inaugurim xhamie nuk quhej  ajo, ishte më tepër një miting politik i organizuar nga partia e Erdoganit, mënyra si të ftuarit kishin ardhur nga Kosova dhe Maqedonia dhe gjithçka. Është për të ardhur keq që një simbolikë fetare, siç është inaugurimi i xhamisë përdoret për agjendën politike të një shteti të huaj.”

Po ashtu, Skënder Bruçaj i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të mbrojë jo vetëm autonominë e Komunitetit Mysliman por edhe atë të komuniteteve të tjera fetare në vend nga influencat e huaja.

“Ne diskutojmë sesi ta mbrojmë KMSH nga influencat e huaja. Kjo është një detyrim kushtetues për shtetin shqiptar që të mbrojë jo vetëm autonominë e Komitetit Mysliman Shqiptar por edhe të çdo komuniteti shqiptar.” 

Skënder Bruçaj theksoi se, me deklaratat e tij, presidenti turk bëri një lloj presioni në mes të Parlamentit shqiptar.

“Presidenti Erdoga vuri si parakusht në Parlament dorëzimin e Gylenistëve. Është një formë presioni që iu bë Parlamentit shqiptar për të dorëzuar gylenistë…Imagjinoni se çfarë presioni u bën Erdogani, shoqatave apo fondacioneve, mediave që sponsorizohen, në mënyrë që të sjellë një lloj destabiliteti, të sjellë një sherr që është Turqi, t’ua sjellë shqiptarëve, miqve etj.”

Ish-kreu i KMSH theksoi se në atë institucion nuk punon asnjë shtetas turk, por se janë të gjithë shqiptarë të cilët punojnë për të rritur kontributin në Shqipëri.

“Në Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nuk punon asnjë turk, janë të gjithë shqiptarë. Edhe luftojnë edhe punojnë për të rritur kontributin në shoqëri edhe për të dhënë efekt që bashkëjetesa ndërfetare të rritet.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!