Juventusi vetëm matematikën ka kundër për momentin, pasi titulli kampion është shumë pranë. Bardhezinjtë do tentojnë të fitojnë Champions League këtë sezon, ndërkohë që e kanë siguruar pjesëmarrjen edhe për vitin tjetër.
Pranë këtij objektivi janë edhe Interi, Lazio e Atalanta, por ka një skenar të çmendur se si një prej këtyre ekipeve do të mbeste jashtë Champions League dhe nuk varet prej tyre. Italia do të përfaqësohej me pesë ekipe në kompeticionin madhor, por vendi i katërt nuk do të mund të kualifikohej.
Si mund të ndodhë diçka e tillë? Kjo ndodh, nëse Napoli ia del të fitojë këtë sezon Champions League dhe sezonin e ardhshëm me rregullore duhet ta mbrojë trofeun. Nuk mjafton vetëm kaq.
Nëse edhe Roma fiton Europa League, atëherë vendi i katërt do të “digjej” dhe kryeqytetasit e Napoli, që janë poshtë këtij pozicioni, do të siguronin një vend në Champions. Një skenar që mund të ndodhë, por shanset duhet thënë se janë të vogla. /abcnews.al