Në një rrëfim për jetën dhe dashurinë për kinemanë, aktori Myzafer Zifla ishte i ftuari i rradhës në programin ‘Pas Mesnate’ në ABC News.
Për aktorin Zifla, skena është përveçse një magji, është vendi ku kushdo shfaq veset dhe virtytet e tij.
“Skena është e errët dhe e ndriçon aktori. Skena është, problem është kur je në qendër.
Ti nuk sheh asgjë, e sheh që je i ndriçuar dhe në këtë pikëpamje është magji sepse po jep tërë shpirtin tënd. Skena është vendi ku shërfaq veset e tua dhe virtytet, por problemi është për veset tek ato që fshehim.”
Aktori Myzafer Zifla tregoi zanafillën e dashurisë për kinemanë, ku Helena e Trojës’ e futi në këtë rrugëtim të bukur artistik.
Ishte vetëm 9 vjeç kur pa në kinemanë e Tepelenës të njëjtin aktor që luajti në dy vepra, kur me naivitetin fëmijënor mendoi se Paridi i Helenës së Trojës kishte ndërruar jetë me të vërtetë në film.
“Si çdo qytet që ka një kinema të vjetër dhe Tepelena kishte një kinema dhe unë shkoja çdo të shtunë. Pas ‘Helenës së Trojës’, kinemaja ishte ngjarje në vendin tonë. Më vonë shoh filmin Salambo që ishte po i njëjti aktor tek Helena e Trojës.
Unë ngri kur më thonë që ishte i njëjti aktor sepse tek Helena e Trojës ishte vrarë. Unë mendova se kishte vdekur realisht, isha vetë 9 vjeç dhe aty nisi dëshira. Më futi Helena e Trojës në botën e kinemasë.” / abcnews.al /

