Skena të ngjashme me ato filmave, çifti shqiptar arratiset nga burgu në Itali

schedule12:44 - 17 Nëntor, 2023

schedule 12:44 - 17 Nëntor, 2023

Një çift shqiptarësh ka marrë vëmendjen e mediave në Itali. Ata janë arratisur nga burgu pasi kishin dalë që aty për të kryer punë vullnetare, e parashikuar në planin për riintegrimin e të burgosurve.

Sipas mediave fqinje bëhet fjalë për Emilian Bici, 43 vjeç dhe Ermelinda Saphiu, 38 vjeçe. Ata punonin në fermën de Leyva në Pesaro dhe  kishin dalë nga burgu në orën 7:00 për t’u rikthyer në orën 8 të mbrëmjes, por kur policia ka shkuar për t’i rikthyer në qeli, nuk i ka gjetur aty.

Sipas mediave italiane, mendohet që çifti prej disa kohësh kishte organizuar planin e arratisjes dhe nuk përjashtohet mundësia të kenë pasur ndihmë nga persona të tjerë.. Ata duket se kanë punuar me përkushtim për të fshehur gjurmët se po planifikonin arratisjen. Burrë dhe grua ishin dënuar me burg në vitin 2018 për një tentativë vrasjeje në Punta Marina, pasi kishin goditur me thikë një 57-vjeçari jashtë një lokali në Ravenna gati gjashtë vjet më parë.

Ata e kanë goditur me thikë në bark pas një konflikti, që nisi kur 57-vjeçari nuk pranoi t’i priste me makinë, teksa ata ishin me një mik shqiptar. Në atë kohë, kamerat e sigurisë kishin filmuar skenën e vrasjes, ku shihej se 38-vjeçarja kishte kapur nga krahët burrin, ndërsa bashkëshorti dhe shoku i tij e goditën me thikë.

Çifti u identifikua dhe u arrestua në Fano dy ditë më vonë. Atyre u kishin mbetur dhe pak dënim për të vuajtur, por tashmë, pas arratisjes, rrezikojnë një dënim që varion nga 6 muaj deri në një vit.

Policia ka nisur menjëherë të kontrollojë stacionet e trenit dhe autobusëve, duke parë edhe imazhet e kamerave, me qëllim të lokalizojë vendndodhjen e çiftit shqiptar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!