Ministria e ekonomisë dhe inovacionit Delina Ibrahimaj tha se furnizimi me karburante në vend është i sigurt, pasi kompanitë kanë rezerva të mjaftueshme dhe kontrata afatgjata, ndërsa çmimet ndikohen nga luhatjet në bursat ndërkombëtare. Ibrahimaj theksoi se karburantet që ne konsumojmë janë karburante që nuk kalojnë nga kanali i Hormuzit.
Ajo shtoi se Ministria po përgatit një projektligj për krijimin e një enti shtetëror që do të garantojë rezerva strategjike për 90 ditë.
“Monitorime ka edhe në që prej nisjes së konfliktit dhe, duke parë zhvillimet në bursa, bëmë një takim të parë ku diskutuam mbi rezervat. Çmimi është i rëndësishëm, por vjen pas zinxhirit të furnizimit. Sipas tregtarëve, karburantet që ne konsumojmë janë karburante që nuk kalojnë nga kanali i Hormuzit. U siguruam që kishim rezerva të mjaftueshme ligjore, kishim kontrata afatgjata për furnizim. Pavarësisht se nuk jemi të varur nga kanali i Hormuzit, çmimi i bursës reflekton uljen e ofertës globale. Çmimin e marrim siç luhatet nëpër bursë.
Që nga momenti i krizës nisëm të monitorojmë; që nga rritja e çmimit të bursës pati rritje. Shoqëritë e karburanteve janë të detyruara që në rast konflikti të kenë rezerva; rezerva është për 30 ditë dhe në kontrata ata mbajnë një stok në magazina doganore. Nga informacionet që ne kemi marrë nga tregtarët është se ata kanë anije që janë rrugës duke ardhur dhe garantojnë një furnizim për 90 ditë. Nuk kemi një situatë ku rezerva është problematike. Për rezervën, ministria ka hartuar një projektligj ku parashikon krijimin e një entiteti shtetëror që do të mbajë të stokuar rezervën për 90 ditë.” / abcnews.al /


