Skemë e pastrimit të parave/ Prokuroria e Tiranës ngre akuza për një shqiptare dhe tre të huaj

schedule10:19 - 25 Korrik, 2024

schedule 10:19 - 25 Korrik, 2024

Zbulohet skema e pastrimit të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme në Spanjë. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ngre akuzë për një shtetase shqiptare dhe tre të huaj.

Bëhet fjalë për shtetasen shqiptare Jozefina Gjoni, dhe tre shtetasit e huaj Saverio Ciampi, Claudio Cuchi dhe Manrico Erriu.

Nga hetimet e kryera lidhur me këtë çështje ka rezultuar se personat e përfshirë janë nën hetim edhe nga autoritetet Spanjolle për krime ekonomike nëpërmjet kompanive të ndryshme në Tenerife, Spanjë.

Referuar aktit të ekspertimit kontabël, kryer në dobi të hetimit, u provua se këta shtetas kanë bashkëpunuar mes tyre duke krijuar shoqëri në Shqipëri, për pastrimin e parave të fituara në mënyrë të paligjshme në Spanjë, apo edhe në vende të tjera si Italia apo Zvicra, duke qenë se nga akti i ekspertimit rezultoi se janë kryer transaksione financiare midis shoqërive që kanë të njëjtin emër shqiptare apo të huaja.

Nga hetimi rezultoi se nëpërmjet krijimit të shoqërive tregtare si dhe nëpërmjet qarkullimit të parave në bankë, këto shtetas kanë tentuar të pastrojnë produktin e veprës penale, duke e simuluar veprimtarinë e kryer prej tyre si të ligjshme. U provua se shoqëritë në Shqipëri, të cilat kanë shërbyer për të pandehurit për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, janë krijuar pasi më parë këto shtetas kanë krijuar shoqëri të tjera në Spanjë, për të cilat janë në hetim për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”. Ky fakt provohet jo vetëm nga datat e themelimit të shoqërive në Shqipëri, por edhe mbi faktin se disa prej shoqërive të krijuara në Shqipëri, janë shoqëri bija të atyre të huaja dhe mbajnë të njëjtin emër. Të pandehurit me dashje kanë krijuar shoqëri në Shqipëri, duke investuar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme në Spanjë duke nxjerrë edhe përfitime nga veprimi i paligjshëm i bërë prej tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!