Skela: Me fat që jam tek Eintracht. E ardhmja? Do drejtoj një skuadër gjermane

schedule18:56 - 25 Mars, 2020

schedule 18:56 - 25 Mars, 2020

Ervin Skela jeton prej vitesh në Gjermani, aty ku kaloi vitet më të bukura si futbollist. Ish-organizatori i kombëtares, aktualisht i angazhuar si trajner në akademinë e Eintracht Frankfurt, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Fan Zone” në Supersport.

SITUATA – “Sigurisht që jam në shtëpi. Jam natyrë optimiste dhe mendoj se kjo situatë do të kalojë shumë shpejt. Në datën 16 të këtij muaji janë mbyllur të gjitha gjërat në Gjermani. Para dy ditësh ka dalë ligji që nuk duhet të ketë më shumë se dy veta në rrugë. Mund të dalësh pak në pyll, vetëm për vrap, por jo në grupe. Shumë të rinj nuk i morën seriozisht këto rregulla dhe qeveria u detyrua të merrte masa më të ashpra”.

BISEDAT – “Kjo është një periudhë mjaft e vështirë. Bisedoj me Çipin, Fakajn e tjerë, flasim më shumë se 10 herë në ditë. Kujtojmë edhe fotot e vjetra e shumë momente që kemi kaluar bashkë”.

BUNDESLIGA – “Jam shumë me fat që ndodhem në Frankfurt dhe tek akademia ku rriten talentet. Në Europa League dhe në kampionat jemi mire. Tifozët këtu janë shumë të zjarrtë dhe kemi bërë një hap të madh përpara. Sot u fol në Gjermani që kampionati do të vazhdojë dhe mund të luhet pa tifozë. Dua të bëj një thirrje, ne si shqiptarë duhet të bëjmë më të mirën për këtë që po kalojmë”.

OBJEKTIVI – “A do të vija në Shqipëri për të marrë një skuadër? Unë e kam thënë që ndihem shumë mirë këtu dhe më kanë përfshirë në skuadër. Dua të marrë një skuadër këtu, në Gjermani, për të treguar se sa i aftë jam”. /abcnews.al