“Skavica kontrata më e madhe”! Ambasadorja e SHBA: Jeni punëtorë, investimet i sjell drejtësia

schedule19:10 - 15 Tetor, 2020

schedule 19:10 - 15 Tetor, 2020

Nga ceremonia e 20-vjetorit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim kërkoi forcimin e shtetit ligjor në mënyrë që investimi në HEC-in e Skavicës, që u firmos pak ditë më parë të pasohet edhe nga investime te tjera amerikane. Kim vlerësoi shqiptarët, por shpresoi që drejtësia e re të bëhet sa më shpejt funksionale.

Hapi fillestar ishte shumë premtues me firmën amerikane që firmosi një marrëveshje për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Kjo do të jetë kontrata më e madhe e dhënë ndonjëherë një kompanie të vetme amerikane në historinë e Shqipërisë dhe SHBA-ve. 

Tashmë fillon puna e madhe se duhet ta shndërrojmë këtë në realitet. Shpresoj që kjo do të shënojë dhe fillimin e një liste më të gjatë të kompanive amerikane që vendosin të vijnë në Shqipëri. 

Që kur kam mbërritur këtu në janar kam qenë dëshmitare e sfidave me të cilat përballet komiteti i biznesit dhe investitorët e huaj. Shteti ligjor duhet të forcohet. E përsëris, të gjithë e dimë se shteti ligjor duhet të forcohet që investimet e huaja të vijnë në vend.

Nuk është e vështirë të “shesësh” Shqipërinë nëse bëhet siç duhet. Shqipëria ka një qasje të jashtëzakonshme me botën përmes portit dhe pozicionit të saj strategjik si një pikë hyrëse në Evropë. Harta që keni parë disa herë në ekran është aq e qarë sa drita e diellit se pse ka vlerë Shqipëria. 

Kostoja e punës është e arritshme për modelet e biznesit, popullsia është e re, e shkathët dhe energjike. Shqiptarët kanë disa nga aftësitë më të mira gjuhësore se çdo popull që kam hasur kudo në botë, janë të vendosur, janë punëtorë dhe mikpritës. 

Ky është një terren pjellor për sukses dhe rritje dhe ne duhet të punojmë së bashku për të kapur mundësitë tani për përmirësimin e Shqipërisë dhe për të siguruar më shumë mundësi për të rinjtë e talentuar shqiptarë” tha ajo./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!