Skandali te Onkologjiku/ Gazetari: Në klinikën private të Gashit operoheshin pacientë që nuk ishin për ndërhyrje. Avokatja: Grup i strukturuar kriminal

schedule21:38 - 27 Qershor, 2024

schedule 21:38 - 27 Qershor, 2024

Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private.

Lidhur me këtë është diskutuar në emisionin “360 Gradë”. Gazetarja Anduena Llabai ka deklaruar se nga mesazhet e bluzave të bardha u zbulua se “operacioni ishte 500 euro në dorë dhe nëse do të llogariteshin brenda një jave shkonin në 2500 euro”.

Ndërsa, gazetari Trashëgim Sokolaj ka thënë se në klinikën private të krijuar nga mjeku Edmond Gashi paraqiteshin pacientë që në të vërtetë nuk ishin aq të sëmurë, madje, edhe i operonin.

“Kemi dy mjekë deri tani Edmond Gashi kirurg dhe Alketa Pere, që mbulonte pjesën e kimioterapisë. Duhte të sqarojmë që në vitin 2019, Edmond Gashi ka hapur një klinikë në zonën e Astirit dhe përzgjidheshin pacientët nga Onkologjiku.

Në vitin 2022 i njëjti mjek ka themeluar një klinikë me qendër eksportin dhe importin e pajisjeve mjekësore. Pra, ka dashur ta zhvillojë aktivitetin më shumë. Pjesa më e tmerrshme është se grada e pacientëve që paraqiteshin në klinikë ishte shumë më e ulët se ç’mund të paraqiteshin ata në të vërtetë. Madje, janë operuar dhe njerëz që nuk kanë qene për ndërhyrje”.

Avokatja Enida Bozheku e konsideroi një grup të strukturuar kriminal dhe çështja duhet t’i kalojë SPAK.

“Minimalja është grup i strukturuar kriminal, duhet medoemos t’i kaloj SPAK-ut, nuk është baza prokuroria e përgjithshme. Këtu prokurori duhet të bëjë një diskriditim të dosjes, duhet të kualifikojë veprën penale. Këtu kemi vrasje me dashje dhe shkon në burg, deri në burgim të përjetshëm, sepse kështu duhet të funksionojë. Mjafton të jetë grup i strukturuar kriminal dhe automatikisht shkon në SPAK.”./abcnews.al