Gjatë një hetimi në tetor të vitit 2023, Prokuroria e Tiranës, zbuloi se disa medikamente që shiteshin ne farmaci, ishin vetëm për përdorim spitalor, specifikisht në spitalin onkologjik dhe shërbenin për trajtimin e tumoreve të ndryshme.
Kjo gjetje nxiti Prokurorinë të vijojë hetimet me përgjime të bisedave të personave të dyshuar, vëzhgime në terren, por duke bërë edhe blerje me agjentë të infiltruar, duke zbuluar rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor në shërbimin e Onkologjisë në QSUT dhe qe drejtoheshin në klinika private.
Po kështu, me agjentë të infiltruar por edhe me ndihmën e disa qytetarëve që kishin denoncuar abuzimet e mjekëve të spitalit Onkologjik, u dokumentuan raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të dëmtuar.
Sipas përgjimeve, Afrim Ruçi, kryeinfermieri i Onkologjikut, në shumë raste bënte rolin e sekserit dhe shërbente si urë lidhëse mes mjekëve, por dhe farmacive e pacientëve për të siguruar ilaçet e kimioterapisë.
Në dosje theksohet se pasi pacientët merrnin programin e plotë për kurën e tumoreve dhe medikamentet siguroheshin nga shteti, mjekët ndërhynin duke programuar që një pjesë e kurës të blihej jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private. Një nga medikamentet për kimio që duhej blerë në farmaci kushton nga 250 Euro deri në 1500 euro flakoni.
Në komunikime të tjera kuptohet që brenda farmacisë spitalore, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikament dhe pse nuk është radha e tij për kurim por në listën e pritjes është një person tjetër.
PJESË NGA PËRGJIMET 14.12.2023:
Qytetari: Do vijë një nga Kukësi, ma ndihmo të lutem mi afro çik kimioterapitë. Bëje për hatrin tim.
Ku je ti?
Afrimi Ruçi: Unë jam lart në zyrë.
Qytetari: Mirë ja do vijë lart tek zyra kjo.
Në dosjen hetimore janë marrë edhe dhjetëra dëshmi të pacientëve që ankohen për shkelje. Një rast i tillë, është një paciente nga qyteti i Burrelit e diagnostikuar me tumor, që ishte transferuar në klinikën privat “Megis”, në pronësi të babait të Edmond Gashit. Gjithashtu në këtë klinikë është sugjeruar dhe t’i nënshtrohej kimios por nuk kanë pranuar. Ndërmjetës ka qenë Emiljano Lela Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT. Në rolin e sekserit ai ka bërë pazar për pagesën e operacionit në këtë klinikë, nga 3 mijë euro, do ulej në 2500 pas ndërhyrjes së tij.
PJESË NGA PËRGJIMET 12.02.2024
Qytetari: Doku si të kam? N.A është nëna e një shokut tim do të marri në telefon. Ma zgjidh pak?
Emiljano Lela: Ca u tha doktori, a mbaruat punë?
Qytetari: Doktori tha duhet bërë operacion sa më shpejt, na dha një çmimin për të bërë operacion, bëhet 3500 euro tha por për Emiljanon 3000.
Emiljano Lela: Ok ishte do e bëjë operacionin, skaner, ka bërë skaner?
Qytetari: Do ta bëjmë edhe skanerin, ja ta provojmë do të shkojmë në Peshkopi të bëjmë atë skanerin e përgjithshëm ta shohim se a ka marrë pjesën e trupit a e ka vetëm aty.
Emiljano Lela : E pra se ajo është e rëndësishme, mos u lodh me harxhu lekë më.
Ne nje nga bisedat, dy persona te përfshirë në këtë skemë, punonjës të spitalit Onkologjik, bëjnë planet e pushimeve, madje flasin hapur dhe për shifrat që sigurojnë nga ryshfetet përmes operacioneve.
Pjesë nga përgjimet:
x-Ku i kap pushimet e tjera tani?
y-Këtu e një vit të jemi mirë
x-Shih Tajlandën tani
y-Po pse jo?
x-Hë mo se nuk shkon shumë
1500 euro, 5 operacione, i kap brenda javësh ti, hahah, ca llogarie
y-Kirurg më di ti mua? Ku e ke bërë matematikën ti vëlla? Sa bëjnë 5X5?
x-HAHAHAHA Llogarita 300 euro operacionin, jo 500
y– Po lale po
x-Për i javë bëhesh për Maldive ti atëherë
Në një tjetër episod, Prokuroria e Tiranës, ka zbuluar bisedat mes Emiljano Lelës, dhe Edmon Gashit, ku flasin lidhur me dërgimin e pacientëve tek klinika private, “Megis” .
Pjesë nga Përgjimet:
Kordinatori i spitalit Onkologjik, Emiljano Lela : Po si i merri lekë ju atij pacientit?
Mjeku, Edmond Gashi: Sdij gjë, jam në sallë.
Emiljano Lela: Po sbëhet kështu se është e dyta herë me nxirmi mua keq. Edmond!
Edmond Gashi: Do e kontrollojmë. Ai është për operacion.
Emiljano Lela: Po unë i thash që është vizita falas.
Edmond Gashi: Do e rregullojmë do e rregulloj doktori thuaj do të të fusi në operacion.
Emiljano Lela: E futja kot sa keq më nxirri.
Pas kësaj bisede me mjekun onkolog Edmond Gashi, Emiljano Lela, I drejtohet pacientit duke I kërkuar ndjeës për ngatërresën, pasi atij i ishin marrë më shumë para.
Emiljano Lela: Më tha të kërkoj ndjesë do t’ia bëj minus tek operacioni se harrova.
Pacienti: Emiljano ai e kishte operacionin 4 milion lekë, 5 e kam më tha po për ju 4.
Emiljano Lela: Shume e ka, po ti hajde të mërkurën dhe e shohim dhe flasi.
/abcnews.al