Skandali me të dhënat në FB/Komisionerja e BE për drejtësinë kërkon shpjegime

schedule13:27 - 25 Mars, 2018

schedule 13:27 - 25 Mars, 2018

Bashkimi Europian kërkon shpjegime nga Facebook se sa shtetas të Unionit janë përfshirë në skandalin me keqpërdorimin e të dhënave personale. Ndërkohë, në vetëm pak ditë kjo kompani ka humbur 58 miliardë dollarë.

Komisionerja Europiane për Drejtësi, Vera Jourova, i ka kërkuar Facebook-ut të japë shpjegime për skandalin e 50 milion profileve të saj janë keqpërdorur për qëllime zgjedhore nga Cambridge Analytica. Në një intervistë me Bild, Jourova tha se “pret sqarime për të ditur se sa përdorues europianë të Facebook janë të përfshirë në këtë çështje”. Komisionerja përsëriti se ajo që ndodhi është “krejtësisht e papranueshme”.

Sipas Jourovës, ky skandal “duhet të jetë një sinjal paralajmërues për të gjithë botën”. “Mënyra se si përpunohen të dhënat personale – përfundon ajo – mund të ketë pasoja shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për themelet e demokracisë sonë”.

Pas skandalit, në Wall Street Facebook ka përjetuar një javë që definitivisht duhet të fshihet nga kalendari. Rrjeti social më i popullarizuar në botë ka humbur 58 miliardë dollarë në kapitalizimin e tregut: aksionet ranë nga 176 dollarë të hënën në 159 të premten në mbylljen e bursës së Nju Jorkut. Me rënien e Facebook, pasuria personale e themeluesit Mark Zuckerberg ka rënë në 66 miliardë dollarë nga 75 miliardë dollarë. /abcnews.al