Skandali me të dhënat, dorëhiqet shefi i sigurisë së Facebook

schedule10:56 - 20 Mars, 2018

schedule 10:56 - 20 Mars, 2018

Skandali me përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve të Facebook për të ndikuar në zgjedhjet amerikane dhe Brexit ka shkaktuar dorëheqjen e parë. Ndërsa qeveria britanike kërkon të hetojë në thellësi të skandalit.

Përgjegjësi për sigurinë e informacionit i rrjetit social Facebook, Alex Stamos, ka dhënë dorëheqjen për shkak të skandalit me “Cambridge Analytica”, një shoqëri e cila ka ndihmuar Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-s dhe fushatën pro Brexit, duke shfrytëzuar të dhënat e mbi 50 milionë përdoruesve të Facebook.

Stamos në prononcimin e tij ka folur për “mosmarrëveshje të brendshme” lidhur me menaxhimin e çështjes “Fake News” nga drejtuesit e gjigandit të teknologjisë. Sipas asaj që raporton gazeta Nju Jork Tajms, ai është larguar me polemika të shumta dhe ka kërkuar nga drejtuesit e Facebook që të tregojnë transparencë të plotë në aktivitetet dezinformuese të Rusisë në platformën e tyre.

Duket se të dhënat personale të 50 milionë përdoruesve të këtij rrjeti social janë filtruar nga kompania britanike e konsulencës dhe janë përdorur për të gjurmuar profile të votuesve me qëllim propagande si në SHBA ashtu dhe në Mbretërinë e Bashkuar, në veçanti në favor të presidentit aktual të Amerikës. Përveç këtyre problemeve, Facebook ka pësuar rënie edhe në bursë duke humbur mbi 7% të vlerës.

Komisioneri britanik për Informacionin njoftoi se do të kërkojë një mandat kontrolli për serverat dhe të dhënat e përdorura nga kompania Cambridge Analytica. Drejtori ekzekutiv i saj është filmuar nga media britanike “Channel 4 News” duke treguar se mund të përdorë kurthe me femra nga Ukraina dhe shantazhe për të diskredituar politikanët. Megjithë këto zbulime nga një kamër e fshehtë, kompania britanike mohon të ketë vepruar në shkelje të ligjit.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkimi Europian, duke e konsideruar të papranueshme përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve të Facebook për qëllime politike. Gjithashtu njoftoi se shumë shpejt do të veprojë për të mbrojtur qytetarët europianë nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre në rrjetet sociale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!