Skandali i përgjimeve, Izraeli dhe Franca “bashkojnë forcat” kundër “spiunit Pegasus”

schedule20:51 - 1 Nëntor, 2021

schedule 20:51 - 1 Nëntor, 2021

Franca dhe Izraeli kanë rënë dakord që të trajtojnë çështjen e programit të spiunimit Pegasus në mënyrë të kujdesshme dhe profesionale. Dakordësia është arritur mes kryeministrit të Izraelit, Naftali Bennett dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, raporton Reuters.

Izraeli ka hetuar nëse softueri Pegasus i firmës kibernetike NSO Group, i cili mund të hakojë telefona është keqpërdorur në shkallë globale.. Ministria e Mbrojtjes e Izraelit mbikëqyr eksportet e mjeteve sulmuese kibernetike si Pegasus.

Në korrik, disa organizata ndërkombëtare mediatike raportuan se Pegasus ishte përdorur në hakimin e telefonave inteligjentë që u përkisnin gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe zyrtarëve qeveritarë në disa vende.

NSO ka hedhur poshtë raportet, duke thënë se ato ishin “plot me supozime të gabuara dhe teori të pavërtetuara”. Pegasus ishte menduar për t’u përdorur vetëm nga inteligjenca qeveritare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për të luftuar terrorizmin dhe krimin, tha NSO.

Telefoni i presidentit të Francës, Emmanuel Macron ishte në një listë të objektivave të mundshëm të përgjimit duke përdorur softuerin Pegasus nga Maroku, raportoi gazeta franceze Le Monde. Maroku i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se nuk e posedonte Pegasusin. Nga an tjetër Macron ka bërë thirrje për një hetim.

Bennett dhe Macron u takuan në Glasgoë gjatë konferencës së OKB-së për klimën dhe folën për sfidat globale, me programin bërthamor iranian në krye të listës, tha zyra e Bennett.

Një zyrtar diplomatik izraelit, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se çështja e NSO ishte diskutuar gjithashtu.

“U ra dakord mes drejtuesve që tema do të vazhdojë të trajtohet në mënyrë diskrete dhe profesionale dhe me frymën e transparencës mes dy palëve”, tha zyrtari.

Ky bashkim ka ardhur pas skandalit të përgjimeve të bërë publike muaj më parë, në të cilën programi i spiunimit Pegasus përgjonte disa nga kompanitë më të mëdha dhe liderët ndërkombëtarë, mes tyre edhe presidentin francez Emmanuel Macron. Pegasus infekton pajisjet iPhone dhe Android, duke u mundësuar operatorëve që të incizojnë bisedat telefonike, të kenë qasje në mesazhe, fotografi, emaila, fjalëkalime, si dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofona dhe kamera. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!