“Pandora Papers” zbuloi mbi 12 milionë dokumente që tregojnë kompanitë dhe investimet në offshore të qindra politikanëve mes tyre edhe krerë shtetesh. Dokumentet tregojnë marrëveshje dhe transaksione të shumta në offshore që përfshijnë aktorë dhe udhëheqës të ndryshëm botërorë, përfshirë mbretin jordanez, bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit pakistanez, ish -kryeministrin britanik Tony Blair, Vladimir Putin, por edhe individë nga Ballkani Perëndimor.
Lexo edhe: Kush është politikani shqiptar në skandalin e “Pandora Papers”?
Ndalur në Ballkan, deri më tani, janë botuar dokumente që flasin për Ministrin e Financave të Serbisë, Sinaša Mali dhe 24 apartamentet në pronësi të tij në Bullgari. Sinaša Mali bleu 24 apartamente në Bullgari nga kompania e Srdjan Dabic, një ish-basketbollist dhe drejtor i degës serbe të kompanisë së famshme ruse të naftës “Lukoil”.
Në fillim të viteve 2000, kur ai punonte në Agjencinë e Privatizimit, Sinaša Mali, si drejtor i Qendrës së Tenderit, mbikëqyri privatizimin e kompanive më të mëdha shtetërore dhe ishte përgjegjës për shitjen e zinxhirit serb të stacioneve të gazit “Beopetrol” tek “Lukoil”.
Lexo edhe: Hapet “Kutia e Pandorës”: Pasuritë sekrete dhe transaksionet e udhëheqësve botërorë
Mali përfaqësonte shtetin e Serbisë në atë biznes, ndërsa biznesmeni Srdjan Dabic përfaqësonte interesat e “Lukoil”. Këshilli për Luftën kundër Korrupsionit më vonë përcaktoi se “Lukoil” nuk e përmbushi kontratën dhe se i shkaktoi dëm “Beopetrol” prej disa miliona eurosh.
Në vend që të investonte në pikat e karburantit serb, “Lukoil” tërhoqi para duke marrë një hua prej 105 milionë eurosh nga “Beopetrol”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka vite që mbron bashkëpunëtorin e tij të ngushtë nën dyshimin për përfshirje në korrupsion.
Lexo edhe: Nga vajza te miku i fëmijërisë, “Pandora Papers” zbulon pasuritë e fshehura të Putinit
Por jo vetëm kaq, në dokumentet e “Pandora Papers” theksohet se Presidenti malazez Milo Gjukanovic dhe djali i tij fshehën prona përmes një rrjeti kompleks në offshore. Gjithashtu në listë përmenden edhe kumbari i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ish-drejtorit të Rrjetit Elektrik të Serbisë, Nikolla Petroviç./ db/ Abcnews.al