Skandali i pagave, dorëhiqet Drejtori i Sistemit Informatik të Tatimeve

schedule14:20 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 14:20 - 24 Dhjetor, 2021

Dorëhiqet drejtori i Sistemit Informatik të Tatimeve Ervin Muça, pas skandalit të publikimit të pagave të shqiptarëve. Abcnews.al mëson se dorëheqja e tij ka ardhur me qëllim për t’u vendosur në dispozicion të hetimeve.

Një ditë më parë Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimeve për publikimin e dhënave për pagat e mbi 630 mijë shqiptarëve. Grupi hetimit ka kërkuar databazën origjinale për të bërë krahasime, ndërsa u kryen veprime hetimore pranë Drejtorisë së Tatimeve, AKSHI-t dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku u sekuestruan serverat e të dhënave.

Sot Prokuroria ka marrë në pyetje 14 ekspertë IT, në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, të cilët kanë pasur akses në serverin e pagave të qytetarëve. Në pyetje janë marrë edhe ekspertë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ndërsa Prokuroria po kryen ekspertim edhe te kompjuterët e specialistëve të Tatimeve.

Lexo edhe: Skandali i pagave, Prokuroria fut në “sitë” 14 ekspertë IT të Tatimeve, ISSH dhe AKSHI-t

Skandali po qarkullon me bujë prej dy ditësh. Të dhënat financiare të mbi 630 mijë qytetarëve për muajin janar 2021 qarkulluan lirisht 2 ditë më parë përmes aplikacionit whatsapp por skandali u thellua edhe më tej pasi dje doli një listë e shtuar deri në 690 mijë punonjës, me pagat e prillit. Materialet përmbajnë të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar ata, përfshirë pozicionin e punës dhe numrin e telefonit.

Por nuk është mjaftuar me kaq pasi ditën e sotme ka vijuar sërish rrjedhja e të dhënave. Një tjetër listë është publikuar, këtë herë më targa 530 mijë automjeteve.

Kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve për shqetësimin teksa i bëri thirrje prokurorisë për hetime, ndërsa opozita deklaroi se ai duhet të japë dorëheqjen për këtë shpërdorim politik të privatësisë së qytetarëve. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!