Pa vdekjen me sy për 71 ditë, rrëfimi i deputetit shqiptar: 90 përqind e mushkërisë “jashtë loje”

schedule08:43 - 7 Janar, 2021

schedule 08:43 - 7 Janar, 2021

Deputeti Andi Përmeti ka rrëfyer betejën e vështirë me COVID-19 në një intervistë me gazetarët Enkel Demi dhe Sibora Bitri në emisionin ABC-ja e Mëngjesit.  Përmeti i janë dashur plot 71 ditë të rikuperohet nga pasojat që i la sëmundja.  Ai u shpreh se gjendja e tij është përkeqësuar , ndonëse nuk ka pirë asnjëherë duhan dhe nuk ka pasur sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

“Kam qenë në qershor i prekur me COVID. Ky është infektimi i dytë. Hera e parë ka qenë në shtëpi dhe me rekomandimin e mjekëve. Herën e dytë kanë qenë 71 ditë. 21 ditë kam qëndruar vetëm në reanimacion. Nuk jam as duhanpirës. Nuk kam pirë asnjëherë duhan.

Nuk kam as sëmundje bashkëshoqëruese. Kam qenë me 90% mushkëri të bllokuara. Kur dola nga reanimacioni u negativizova. Por duhet të qëndroja akoma pasi kisha nevojë për trajtim për rikuperimin e mushkërive. Në reanimacion nuk lejohej njeri tjetër përveç bashkëshortes time”, tha Përmeti.

Përmeti u shpreh se ajo që ka ndihmuar në gjendjen morale ka qenë edhe fakti që nuk e dinte gjendjen e tij, pasi bashkëshortja i ka thënë se ka vetëm 40% të mushkërive të prekura. Ai rrëfeu ditët e para të shtrimit në spital ku ka qëndruar edhe 24 orë pa gjumë për shkak të ankthit.

“Bashkëshortja më ka thënë disa gënjeshtra të bardha. Më ka thënë që kam 40% të mushkërive të prekura dhe kjo më ka ndihmuar moralisht. Kam qenë gjithë kohën i vetëdijshëm. Madje ditët e para kam qëndruar 24 orë pa gjumë. Qoftë për shkak të ankthit. Vetëm zhurma e pajisjes është një tmerr më vete.

Me fatin e mirë që gjendjen time të rëndë e mësova kur isha duke dalë nga spitali. Unë nuk i besoj teoritë konspirative. Më e rëndësishme në jetë është shëndeti. Unë jam ndjerë mirë pasi u bëra mirë dhe mora telefonin në dorë se shumë njerëz ishin interesuar për mua. Kjo më bëri të ndihem mirë”, deklaroi Përmeti. /mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!