Skadoi afati për karantinimin e emigrantëve, LSI: Çfarë duhet për të kuptuar që zgjedhje s’ka pasur?

schedule16:38 - 3 Maj, 2021

schedule 16:38 - 3 Maj, 2021

Nga dita e nesërme, e martë 4 Maj çdo emigrant që vjen nga Greqia dhe Maqedonia nuk ka detyrim që të qëndrojë 14 ditë në karantinë për shkak të COVID-19. Sot është dita e fundit e afatit për vendimin e miratuar në 19 Prill. “Afrimi i ditës së Pashkëve gjithmonë është shoqëruar me lëvizje të qytetarëve nga vendet fqinje, që mund të vendosin vendin në një situatë të rënduar epidemiologjike.

Si dhe duke pasur parasysh dhe situatën tonë lokale, ku vendin e parë për numër rastesh të reja e zë Gjirokastra, pasuar nga Korça, mendojmë që duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj” kështu u shpreh Mira Rakacolli dy javë më parë.

Vendimi shkaktoi zhurmë dhe akuza, pasi opozita e lidhi me datën e zgjedhjeve të 25 prillit. Ish-deputetja e LSI-së, e cila është ende në garë për një tjetër mandat, pasi fatin e saj e ka në dorë kryetarja e partisë, Kejdi Mehmetaj akuzon qeverinë për vendosjen e karantinës 2 javore.

“Fiks një javë pas zgjedhjeve “Komiteti Rama” ka marrë vendim që emigrantët e ardhur nga Greqia dhe vendet e tjera fqinje nuk kanë nevojë të karantinohen pasi të hyjnë në Shqipëri. Çfarë ndryshoi me virusin për një javë, përveçse mbaruan zgjedhjet?

Sot KLSH dërgon në “Parlamentin Rama” një raport që flet për 711.8 mln euro dëm që institucionet shtetërore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm në 2020. Shkelje, abuzime dhe vendime të parregullta. Ku shkuan këto para dhe a do mbajë kush përgjegjësi ligjore?

Prej disa ditësh janë bërë publike faktet se si me paratë e taksapaguesve shqiptarë, paguhen shqiptarë të tjerë në shkëmbim të votës, me pretekstin e tërmetit, kundër çdo ligji e rregulli.

Prej ditësh bëhen publike fakte të blerjes së votës ose të përdorimit të institucioneve shtetërore në shkëmbim të votës. 5% e votave kanë dalë të pavlefshme dhe ka mjaftueshëm pamje filmike që tregojnë se si numëruesit e Ramës prishin fletët e votimit, apo sesi llogarisin fletë të pavlefshme si të vlefshme për PS. Çfarë duhet akoma për të kuptuar që zgjedhje nuk ka patur?” shkruan ish-deputetja e LSI-së./ db/ Abcnews.al