Skadimi i dokumenteve të identifikimit, radhë të gjata në kryeqytet

schedule15:57 - 16 Janar, 2019

schedule 15:57 - 16 Janar, 2019

Deri në fund të 2019-s skadojnë rreth 1.4 milionë karta identiteti, ndërsa në pikat e aplikimit, fluksi i qytetarëve është tejet i lartë.  Për ABC News ata thonë se detyrohen të zënë radhën që në orët e para të mëngjesit dhe shpesh dhe pa mbaruar punë.

Prej disa ditësh fluksi i qytetarëve që aplikojnë për karta identiteti dhe pasaporta është rritur ndjeshëm pasi deri në fund të këtij viti skadojnë rreth 1.4 milionë karta. Fluksi është aq i lartë sa te njesia nr. 3 dhe 4 ka mbi 200 kërkesa për aplikime në ditë, ku shpesh nuk mungojnë as tensionet.Qytetarët shprehen se dalin shumë herët në mëngjes për të mbajtur radhë, madje ka nga ata që thonë se kanë ardhur prej 3 ditësh dhe akoma s’kanë bërë aplikimin e tyre.

“Që në 7 deri tani. Edhe dje. Dje s’e bënim dot erdhëm sot”, tha një qytetar.

“Dita e tretë sot. Kam ardhur të premte kam ardhur dje”, tha një qytetare.

Të pyetur se përse nuk arrijnë të bëjnë dot aplikimin për mjetet e tyre të identifikimit, qytetarët thonë se pikat e aplikimit janë vetëm dy dhe shpesh ka dhe bllokim të sistemit.

“Ka gjysmë ore s’kishte sistem, po e shumta është që nuk ka sportele. Këtu janë 200 e ca veta dhe ka vetëm dy sportele”, u shpreh një qytetare.

“Ka një orë që rri kot. Iu prish sistemi. Kisha mbaru punë, kisha ik kisha hingër bukë”, u shpreh një tjetër.

“Vetëm me dy sportele punojnë”, tha një qytetar tjetër.

Për të përballuar fluksin e madh të aplikuesve për mjetet e identifikimit, punonjësit kanë marrë urdhër të mos largohen pa mbaruar edhe qytetari i fundit që është në radhë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!