“S’ka profesionistë, votoni mbi bazë krushqish”, vijon debati mes Florit dhe Kozetës: Mbetëm në dorën tënde

schedule07:39 - 1 Qershor, 2021

schedule 07:39 - 1 Qershor, 2021

Juria e “Këngës Magjike” këtë vit përbëhej nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti. Kjo e fundit ka shprehur pakënaqësi ndaj festivalit, duke u shprehur se nuk ka profesionistë por vetëm tifozë të cilët votojnë me formulën “Sa më jep, aq të jap”.

Përmes një shkrimi publikuar në rrjetet sociale, Kozeta ka deklaruar se në festival artistët i kanë krijuar këngët në darkë dhe ia kanë shitur në mëngjes dikujt për t’i kënduar. Ajo ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj fitores së Alban Ramosajt, i cili mori vendin e parë me këngën “Thikat e mia”. Kozeta ka shkruar se Albani nuk ka qenë këngëtari më i mirë në festival, si dhe nuk e ka mbrojtur këngën në skenë. Ajo është e mendimit se Albani ka fituar për shkak të këngës, e cila është shkruar nga Fifi dhe ai, me muzikë nga Bruno dhe po ai.

Kënga Magjike dhe dy fjalë për të vërtetën….
Dy fjalë për të vërtetën, udhëhequr nga dashuria që kam për muzikën, që s’ka të bëjë veç me këtë festival, por me gjithë kaosin që po kalon muzika shqiptare, e cila vuan krijimtarinë dhe vendin e saj e ka zënë prodhimi, fabrikimi, ushqimi i shpejtë dhe “kap ça të kapësh”. Këtu tre fituesit (ata të mbrëmshmit apo tre të tjerë) janë problemi më i vogël dhe më sipërfaqësori, sepse kushdo të kishte qenë në vendin e tyre, një pjesë do e mbështeste vendimin, një pjesë do e kundërshtonte, sepse në këtë vend, ka veç fitues dhe humbës: nuk ka njerëz të mëdhenj që shijojnë dhe bëjnë qejf, që lumturohen se janë në skenë pas më shumë se një viti mbylljeje, izolimi, traumash psikosociale që provokoi pandemia në të gjithë globin. Këtu tre fituesit (ata të mbrëmshmit apo tre të tjerë) janë problemi më i vogël dhe më sipërfaqësori, sepse në këtë festival (dhe jo veç këtë vit) nuk ka profesionistë, por tifozë, që votojnë mbi bazë tarafesh, krushqish, fqinjësish, kushërinjsh të parë, komshinjsh, sipas formulës “sa më jep, aq të jap”. Dhe pikërisht këta, nuk kanë asnjë mundësi të gjykojnë një proces të pavarur votimi! As edhe një mundësi, sepse u mungon integriteti profesional. Këtu tre fituesit (ata të mbrëmshmit apo tre të tjerë) janë problemi më i vogël dhe më sipërfaqësori, sepse tjetër kund duhet të bien këmbanat për të tashmen dhe të ardhmen e muzikës shqiptare. Ka dy mënyra për të krijuar atistikisht: e para, ta bësh mirë, të menduar, me koncept, me vizion se ku dëshiron e mendon ta shpiesh artin tënd dhe e dyta ta bësh në mëngjes e ta shesësh në darkë. (ose e kundërta). S’ka asnjë rregull që përjashton se të dytët nuk mund të dalin nga rradhët e të parëve. Këtë e pashë edhe në këtë festival që ditën e parë të tij, që prej konkurrentëve në kategorinë “neë artist” e deri tek finalistët e mbrëmjes së kaluar. Duket sikur monologu i tyre i brendshëm thotë vazhdimisht: “punova unë për emrin, tani punon emri për mua”. Të dashur, është e mundimshme udha drejt emrit, por shumë më tepër mbajtja me dinjitet e tij. Këtu nuk mund të jenë problem fituesit, por këmbanat e alarmit se ka vdekur frymëzimi e për pasojë nuk gjenerohen zhanre, stile, fabula të shkruara në poezi të bukura; këmbanat e alarmit se ne po jetojmë në një shoqëri të zhytur në depresion, e cila reflektohet edhe në llojin e krijimtarisë; këmbanat e alarmit se kush janë ata që po krijojnë modelet, çfarë do të thotë të jesh “big” artist dhe a ke fuqi ta mbash këtë përcaktimin që herë-herë është i merituar e herë-herë, i dhuruar, për shkak të rrethanave, mungesës së përvojës ndër vite etj.
Deri tani, thashë që s’kanë rëndësi fituesit, sepse në një finale, të gjithë mund të jenë fitues dhe në këtë fazë, hyjnë edhe shumë elementë të tjerë, ndër të cilët është SHIJA! Dhe shija nuk diskutohet fare. Ajo thjesht respektohet!
Tani më duhet të ndalem pak tek fituesit, sepse pa kurrëfare modestie, më duhet t’ju kujtoj se jam e vetmja prej të gjithëve që kanë votuar në “Kënga Magjike 2021”, këngëtarë apo anëtarë jurie, që kam në tre vendet e mia të para, tre fituesit e Festivalit. E kanë merituar “Urban Band” çmimin për artistin e ri më të mirë, sepse kanë qëndrueshmëri në stilin e tyre (shijet janë personale, dikujt i pëlqen, dikujt jo), por qëndrueshmëria është evidente dhe askush nuk mund ta vendosë në diskutim. E kanë merituar, për durimin dhe modestinë që kanë treguar duke tentuar të prodhojnë e të vijnë në këtë festival vit pas viti; e kanë merituar dhe me fitoren e tyre u kanë dhënë një mesazh dhjetra të tjerëve të kenë besim dhe të mos paragjykojnë se në Këngë Magjike, “po nuk bëre numrat”, je jashtë Festivalit.
Dua të ndalem tek Nutsa, këngëtarja gjeorgjiane që fitoi çmimin “Best Big International” dhe dua t’u kthej një përgjigje prej së largu çdo syleshi që shkruan: “në të gjithë botën mbështetet vendasi, ne i bëjmë fresk të huajve”. Jo ore, zotërinj, jo. Nëse i sjell në garë, nuk mund t’i mohosh, vetëm sepse janë të huaj, madje ata i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm festivalit, sepse nëpërmjet tyre ka ndodhur BALLAFAQIMI. Dhe mbrëmë….unë nuk e di se ku e ka futur kokën shumica e finalistëve, pasi e ka parë atë vajzën të këndojë në skenë. Vota për Nutsën është e qartë, e pastër, kristal: ti mund të kesh çfarëdolloj kënge, po puna është kush do ta këndojë, sepse këngëtari është ai që ta ngre këngën, apo ta fut shtat’ pash’ nën dhe.
Dhe mbërrijmë tek vendi i parë…. Aty ku unë them: E PARA ËSHTË KËNGA!
E keni pyetur veten çfarë roli kanë festivalet? Ose si duhet ta kenë së paku… një garë midis ca emrave? Një vazhdimësi e një iniciative të Ardit Gjerbresë, që e kujton edhe vetë se ky festival nisi krejt kot, pa u menduar gjatë?
Jo, jo. S’mund të jetë kështu. Gjithë ky investim që të përplasen brej brirësh 10,15,20 njerëz! Një prej misioneve të tij është të orientojë, t’i tregojë kujtdo që s’mundet, të perceptojë edhe se ku duhet të shkojë muzika, ndryshe s’kemi pse ankohemi çdo ditë që edhe kandidatet për eskorta në Dubai, po merren me muzikë. A është Alban Ramosaj këngëtari më i mirë i Festivalit? Jo, nuk është! A e mbrojti dot këngën? Jo, nuk e mbrojti. (ata që e mbrojtën këngën, mund t’jua numëroj ndoshta me gishtërinjtë e vetëm njërës dorë)
Por Albani ka këngën! Dhe kënga është e para. Kur ke këngën, këngëtarin e gjen. Me këtë dua të them se ndoshta ka ardhur koha të ndryshojë e të rikthehet sistemi, siç ndodhte dikur në këtë vend e siç ende në botë ndodh shpesh: producentët e kompozitorët t’ua përshtasin krijimtarinë e tyre interpretuesve dhe jo këta të fundit të bredhin studiove e të kërkojnë këngë.
Në fund, kam dy gjëra personale:
Ardit Gjebrea, të kërkoj falje publikisht për atë që kam menduar me paragjykim, me zë të ulët në shtëpi, duke pritur me ankth, që nga dita e parë e deri mbrëmë në finale se kur do të vinte momenti që ti do “fusje hundët” në punët tona. (S’kam edhe faj, se nuk e kam për herë të parë në një juri) Më fal!
Dhe faleminderit:
Që i vure tortës së “Kënga Magjike” një qershi si Marsela Çibukaj
Që më bëre të kem një kujtim të paharrueshëm me katër persona të veçantë e të shtrenjtë si Enkel Demi, Jonida Maliqi, Arben Skënderi e Markeljan Kapidani.
Do të doja ta ktheja kohën pas që sot të ishte 21 mars… të kishim nisur sot!“, ka shkruar Kozeta.

Mirëpo, duket se deklarata e Kozetës nuk është pritur aspak mirë nga Flori Mumajesi, i cili ka reaguar me anë të një postimi në Instagram.

LEXO EDHE: Flori Mumajesit nuk i del “inati” me jurinë e “Këngës Magjike”, reagon sërish

Një shkrim i nxituar nga mllefi Koke krib! Ftoj të gjithë syleshët që morën pjesë në festival, që nga fituesi e deri te ata që nuk patën mundësi të kualifikohen, të mos ndihen sy lesh! Kam shkëputur nga shkrimi vetëm thikat e panevojshme. Çfarë arrogance për të gjithë ne syleshët që mbetëm në dorën tënde, të na votosh dhe të na vendosësh epitete më pas! Bravo! Të lumtë! Mbase e meritojmë të na votosh si të duash, por të lutem mos e mpreh shpatën pa numëruar deri në 10. Si mikeshë që të kam, edhe pse nuk shquhem për të numëruar deri në 10 po e bëj”, i është përgjigjur Flori.

 

Nga ana tjetër Kozeta nuk e ka lënë me kaq dhe i është kundërpërgjigjur sërish.

Qyqja! Zemër! Muzika është më e madhe se Kënga Magjike. Refleksioni është përtej KM, ndonëse e drejta e interpretimit është tërësisht personale. Më vjen vêrtetë keq që etiketohesh sylesh. Sylesh është çdo profil pa identitet në rrjete sociale”, ka shkruar ajo./abcnews.al