S’ka konsensus për vizat e Kosovës në Bruksel

schedule16:48 - 10 Nëntor, 2022

schedule 16:48 - 10 Nëntor, 2022

Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat e Këshillit të BE-së mbajti diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave me Kosovën nën Presidencën Çeke. Shtetet Anëtare diskutuan propozimin kompromis të Presidencës Çeke mbi kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS.

Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus ne gjirin e vendeve anëtare. Megjithatë u bë përparim i rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’i rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të ecur përpara me këtë pikë të rëndësishme deri në fund të vitit.

Kujtojmë se diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e madhe e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!