Situatë kaotike në Paris, ministri i Brendshëm akuzon Le Pen për nxitje dhune

schedule14:24 - 24 Nëntor, 2018

schedule 14:24 - 24 Nëntor, 2018

Parisi është në kaos, ku po ndodhin ende përplasje fizike mes qindra protestuesve dhe agjentëve të policisë. Sipas dëshmive të para, protestës së jelekëve të verdhë kundër rritjes së çmimit të karburanteve, i janë bashkuar dhe grupe të ekstremit të djathtë, të cilët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në atë që cilësohet si rruga më e bukur në botë Champs Elysee. Policia po përdor pompa uji, gaz lotsjellës dhe granata shurdhuese për të larguar protestuesit nga përpjekjet për të hyrë në presidencë, pasi presidenti Emanuel Makron nuk pranoi të takohet me ta. Mediat franceze raportojnë se janë thyer dhe disa vitrina dyqani dhe kasat janë hedhur kundër agjentëve të policisë. Autoritetet franceze nuk kishin dhënë leje për zhvillimin e protestës.

Ndërkohë ministri i Brendshëm Kastane, akuzoi publikisht liderin e Bashkimit kombëtar, Marin Lë Pen, se po nxit trazira, duke i kërkuar “jelekëve të verdhë” që të shkojnë në Champs-Elysees, ku ndodheshin anëtarë të ekstremit të djathtë. Por Lë Pen ka reaguar menjëherë duke thënë se dënonte dhunën dhe rivalët e saj politikë nuk duhet ta përdorin më kundër lëvizjes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!