“Situatë emergjence nga ngarkesa”, Kryeprokurori Çela: Drejtësia ka mungesa në burime njerëzore

schedule10:00 - 3 Mars, 2020

schedule 10:00 - 3 Mars, 2020

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela këtë të martë ka prezantuar një situatë aspak optimiste në sistemin e drejtësisë në një tryezë të mbështetur nga misioni Pameca ku merrnin pjesë edhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca e ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.

Në fjalën e tij Çela tha se organet e drejtësisë po përballen me mungesa të theksuara në burime njerëzore duke folur për një situatë emergjence. Kryeprokurori ndër të tjera ka theksuar se nuk ka ende një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojnë me kapacitete të plota.

Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje. Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror.

Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht. Edhe pse procesi i vettingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”, theksoi Çela.

Ai deklaroi se Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma.

Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon ta ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është  sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues”, u shpreh më tej kryeprokurori./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!