Situatë e ndërlikuar, çfarë po negociojnë Rusia dhe Ukraina në Paris?

schedule14:28 - 26 Janar, 2022

schedule 14:28 - 26 Janar, 2022

Ndërsa Rusia po grumbullon trupat e saj pranë kufirit të Ukrainës, zyrtarë të lartë ukrainas dhe rusë do të takohen ditën e sotme në Paris për të negocuar rreth situatës. Ata do të diskutojnë një zgjidhje paqësore të konfliktit në Donbas, ku të pranishëm gjithashtu do të jenë përfaqësues nga Gjermania dhe Franca, shkruan Spiegel

Në mes të krizës aktuale, ky është një lajm i mirë. Por çfarë mund të arrihet nga takimi?

Është takimi i parë që nga vera e kaluar. Takimet e Normandisë kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të Minskut që i dhanë fund luftrave në Ukrainën lindore në vitin 2015. Në të kaluarën ka pasur takime të shumta mes krerëve të shteteve dhe qeverive – së fundmi në Paris 2019. Por këtë herë do të takohen vetëm  konsulentët.

Të hënën, Kievi anuloi një projektligj nga parlamenti, i cili, sipas Rusisë  por me sa duket edhe sipas Gjermanisë dhe Francës nuk ishte në përputhje me marrëveshjet e Minskut.

“Ligji i ri mbi bazat e politikës shtetërore” kishte për qëllim të përmirësonte mënyrën se si Krimea, e aneksuar nga Rusia, dhe zonat separatiste do të administroheshin pasi ato të rifitoheshin nga shteti ukrainas. Kjo përfshin udhëzime për një sistem drejtësie tranzicional që lidhet me krimet e kryera nga separatistët. Minsk ndërkohë kishte rënë dakord për një amnisti, raporton abcnews.al

Kjo do të nënkuptonte “tërheqje të Ukrainës nga marrëveshjet e Minskut”, tha ministri i Jashtëm rus Lavrov në nëntor 2021. Në një bisedë telefonike në tetor, Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Emmanuel Macron siguruan Vladimir Putin se do të lobonin në Kiev për të tërhequr ligjin e propozuar, sipas Lavrov.

Sipas njoftimeve të mediave ukrainase, tërheqja e projektligjit ishte një parakusht për takimin e së mërkurës. Problemi më i madh, megjithatë, mbetet i pazgjidhur: se marrëveshjet e Minskut të vitit 2015 vështirë se mund të zbatohen. Mbi të gjitha kontestohet sekuenca e masave, por edhe roli i Rusisë.

Moska e sheh veten si ndërmjetëse në një luftë civile në Ukrainë dhe mohon përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në konflikt megjithëse në fakt ka kontrolluar zonat separatiste madje ka dhënë edhe pasaporta ruse. Kievi, nga ana tjetër, dëshiron të ndryshojë rendin e pikave të dakorduara. Ndër të tjera, bëhet fjalë për çështjen se si janë të koordinuara në terma kohorë zgjedhjet e reja në zonat separatiste dhe riintegrimi i tyre, raporton abcnews.al

Meqenëse marrëveshjet e Minskut  përfunduan në vitin 2015 në kohën e humbjes së ushtrisë ukrainase dhe pasqyrojnë ekuilibrin e fuqisë në atë kohë, zbatimi i tyre në politikën ukrainase është jashtëzakonisht jopopullor dhe përfshin rreziqe të larta për Presidentin Volodymyr Zelenskyy. Në Paris  mund të diskutohet mbi të gjitha edhe për forcimin e armëpushimit dhe çështjet humanitare.

Mbetet për tu diskutuar nëse ndonjë përparim i vogël në formatin e Normandisë mund të ndikojë në planet e mëtejshme të Moskës. Sipas Kremlinit, aktualisht nuk bëhet fjalë për zbatimin e ideve të tij në Donbass, por për ndryshimin e të gjithë arkitekturës së sigurisë së Europës dhe reduktimin e ndikimit të NATO-s.

“Nëse presidenti Putin vendos të zgjedhë rrugën drejt rritjes së tensioneve, do të jetë e vështirë të arrihet diçka në formatin e Normandisë”, sipas një këshilltari të presidentit francez Emmanuel Macron.

“Presidenti beson se ka vend për diplomaci.”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!