Situata politike në Shqipëri në qendër të diskutimeve në PE

schedule17:22 - 11 Qershor, 2019

schedule 17:22 - 11 Qershor, 2019

Kriza politike në Shqipëri ishte në qendër të diskutimeve dhe në Parlamentin Europian. Sipas eurodeputetit Knut Fleckenstein vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta e lexon si shqetësim për përshkallëzimin e situatës.

Konferenca e shtypit e mbajtur në Parlamentin Europian “Shqipëria dhe perspektiva e saj europiane” është përqendruar në 5 prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në qendër të vëmendjes ka qenë edhe situata politike në vend.

“Unë sapo kam lexuar që president Meta është shprehur se anulimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri do të ishte i nevojshëm për të parandaluar përshkallëzimin e një situate të pakontrollueshme. Kjo tregon shumë për situatën në vend, për protestat dhe opozitën. Nuk jam në gjendje që të gjykojë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Kjo u takon politikanëve në Shqipëri. Nuk kam këshillë për të dhënë, por kuptoj që presidenti shqetësohet për një përshkallëzim të ri të situatës. Kjo është me interes për ne”, tha Fleckenstein. 

Fleckenstein ka dhe një përgjigje për përgjimet e gazetës gjermane “Bild”.

“Nuk lexoj Bild, por jam i informuar. Nuk jam një prokuror, nuk jam një punonjës policie, nuk jam një gjykatës. Por e kam lexuar dhe jam i bindur që një ditë, e vërteta do të dalë në Shqipëri. Hasim gjithnjë të njëjtin problem. Nuk është çështja nëse bëhet fjalë për një qeveri të mirë apo të keqe. Nëse ka një ministër të korruptuar  ose një kryeministër të korruptuar. Puna jonë është që të mbështesim ata që duan të bëjnë dhe reforma  dhe reforma në drejtësi është baza për të trajtuar akuza të tilla. Pa reformën në drejtësi, kjo nuk mund të trajtohet”, tha Fleckenstein.

Për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, shqetësimet që kanë disa shtete anëtare lidhur me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe aludimet për lidhje midis krimit dhe politikës kanë të bëjnë më shumë me perceptime sesa realitetin objektiv.

“Nëse ne duam ta gjykojmë Shqipërinë drejt integrimit europian ne duhet të bazohemi në fakte dhe në realitetin objektiv më shumë se perceptime. Nëse flasim për realitetin objektiv, Shqipëria është në rrugën e duhur. Unë prezantova disa të dhëna dhe ajo që mund të them që Shqipëria është një vend i sigurt dhe stabël kur bëhet fjalë për të tregues kyç. Nëse bëhet fjalë për perceptime, ka perceptime të ndryshme dhe fatkeqësisht këtë vit ishte një vit i komplikuar në kontekstin e zgjedhjeve europiane. Për disa vende, Shqipëria është kthyer në argument për mosmarrëveshjet e brendshme. Por për realitetin objektiv, kemi arsye që të jemi optimistë dhe vërtet krenarë, sepse këto të dhëna janë certifikuar nga progres raporti i Komisionit Europian”, tha Lleshaj.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar, që ajo shpreson që Gjykata Kushtetuese do të ngrihet brenda muajit Korrik.

“Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një shqetësim i madh për qeverinë dhe për mua si ministre e Drejtësisë. Por ne kemi zgjedhur, që të kemi një Gjykatë Kushtetuese me anëtarë që kanë integritet. Gjykata Kushtetuese ka qenë me një anëtar, ndërkohë që të tjerët janë shkarkuar. Thashë që  shpresoj, që brenda Korrikut Gjykata Kushtetuese të ngrihet dhe të mbushen vendet vakante, duke parë që Këshilli i Emërimit të Drejtësisë ka punuar për verifikimin e kritereve ligjore të kandidatëve, që kanë aplikuar për 6 pozicione. Ky Këshill është tani në faqen e renditjes së kandidatëve për sa paku 4 pozicione. Lista do t’i dërgohet më pas Presidenti dhe Parlamentit dhe ky i fundit ka pastaj 30 ditë për të emëruar një nga kandidatët më të mirë për vakancat e Gjykatës Kushtetuese”, tha ministrja.

I pyetur se ç’mund të bëjë qeveria shqiptare për të zhbërë vendimin e marrë nga qeveria holandeze për ndërprerjen e lëvizjes së lirë në zonë Shengen, ministri Lleshaj është përgjigjur se “Shqipëria nuk ka shkelur asnjë nga parimet e rregullores, se kjo është një çështje e brendshme e Holandës”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!