Situata pas tërmeteve, kryeministri takim me ministrat dhe prefektët

schedule09:50 - 22 Shtator, 2019

schedule 09:50 - 22 Shtator, 2019

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka; ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, prefektët dhe drejtues të Forcave të Armatosura për situatën pas tërmeteve që tronditën Shqipërinë.

Takimi do të zhvillohet në orën 10:00 në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes. Më herët, kreu i qeverisë postoi në rrjetet sociale disa fotografi, ku thoshte se vijon puna nga strukturat e shtetit për t’iu gjendur pranë qytetarëve të prekur nga tërmetet.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të punës që vijon pa ndërprerje për t’iu gjendur pranë qytetarëve të prekur nga tërmetet e djeshme dhe për të lehtësuar pasojat e dëmeve të shkaktuara, ju uroj një të dielë të qetë”, shkruan kryeministri Rama.

Në orën 16:04 të së shtunës, vendi jonë u godit nga një tërmet me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter. Si pasojë u raportuan dëme të shumta materiale dhe shumë persona të plagosur.

Më herët gjatë së dielës, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjithsej kanë marrë ndihmë mjekësore 105 persona. Pjesa më e madhe e kanë lënë spitalin, ndërsa vazhdojnë të marrin shërbim mjekësor vetëm 10 persona./abcnews.al