73 inxhinierë janë shpërndarë në terren për të bërë vlerësimin e sigurisë së objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë një takimi që zhvilloi me ta u kërkoi edhe që të luajnë rolin e psikologut për të qetësuar qytetarët.
Ka ardhur koha për t’iu kthyer normalitetit është mesazhi i ministres së Infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku.
“Të gjitha akset rrugore janë të aksesueshme, përfshirë edhe ato zona që u prekën nga tërmeti i 21 Shtatorit. Të gjitha sistemet energjetike janë funksionale. Ujësjellësit janë të gjithë funksionalë. Portet dhe aeroportet e Shqipërisë kryejnë funksionet me normalitet të plotë”.
Në mbledhjen që zhvilloi me ekspertë të institutit të ndërtimit dhe inxhinierëve, ministrja Balluku kërkoi ngritjen e grupit të vlerësuesve të objekteve që kanë pësuar dëme e që në total janë 500.
“Akti i verifikimit u jep sigurinë njerëzve për të hyrë në banesa, pastaj do të kalojmë në aktin e vlerësimit, pasi shteti do marrë përsipër gjithçka.
Përveç ndihmës është e rëndësishme edhe fjala e ngrohtë, tha ministrja. Për rastin e objektit në zonën e Astirit qe pati alarm nga banorët, ministrja Balluku tha se aktualisht rezulton se është një situatë e sigurtë, ka vetëm çarje e krisje të suvasë e jo në konstruksion. E njëjta gjë në zonën e Kombinatit ku dëmtimet janë të lehta./ABC News Albania 24/7