Shpërndarja e vaksinave anti- Covid në vendet e Bashkimit Europian po rritet me shpejtësi, me më shumë se 300 milion doza administruara deri më tani, BBC.
Gati gjysma e popullsisë së rritur të BE-së kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine kundër Covid, ndërsa 28% janë vaksinuar plotësisht. Në fillim të këtij viti, fushata e vaksinimit u prek nga vonesat në prodhim dhe shpërndarje dhe skepticizmi për tu vaksinuar në disa vende.
Fushata e vaksinimit në BE
Deri me 20 qershor 2021, Gjermania administroi mesatarisht 1 dozë për 100 persona në ditë, me Italinë dhe Francën 0,9 për 100 persona, ndërsa Mbretëria e Bashkuar 0,6 për 100 persona.
Hungaria – e cila po përdor vaksinat ruse dhe kineze si dhe ato të miratuara nga BE-ja – ka vaksinuar plotësisht 46% të popullsisë së saj, të njëjtën përqindje si Britania e Madhe. Në Francë, fëmijët mbi 12 vjeç kanë të drejtë të vaksinohen, sigurisht me miratimin e prindërve. Qeveria shpreson të shmangë mbylljen e klasave kur shkollat të rihapen pas pushimeve verore, raporton abcnews.al
BE autorizoi përdorimin emergjent të vaksinës Pfizer tek grupmoshat 12-15 vjeç në fund të majit. Gjermania ndërkohë tha se do të vaksinonte grupmoshat 12-17 vjeç me sëmundje bashkëshoqëruese ndërsa një numër vendesh të tjera të BE-së thanë se do të vaksinonin fëmijët para fillimit të vitit të ardhshëm akademik.
Problemet fillestare në lidhje me fushatën e vaksinimit
Në qershor 2020, të 27 vendet anëtare iu bashkuan një skemë që i jep BE-së përgjegjësinë për blerjen e vaksinave. Sidoqoftë, BE-ja ishte më e ngadaltë se Britania e Madhe për të negociuar një kontratë me AstraZeneca.
BE gjithashtu pati probleme me prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave në marrëveshjen me Pfizer-BioNTech dhe Moderna. Në shkurt, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen pranoi vështirësitë e BE-së për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave , duke thënë: “Ne ishim shumë optimistë kur bëhej fjalë për prodhimin masiv dhe mbase shumë të sigurt se dozat që porositëm do të dorëzoheshin në kohë. ”
Problemet me AstraZeneca
Në janar 2021, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) miratoi përdorimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca për të gjitha grupmoshat, por një numër vendesh të BE-së pezulluan përdorimin e saj për personat mbi 65 vjeç.
Franca dhe Gjermania miratuan vaksinën për grupmoshat 65-74 vjeç në fillim të marsit. Këto vende ishin përsëri në mesin e 13 vendeve europiane që pezulluan AstraZeneca në mars, pas raporteve se të mpiksjes së gjakut.
Më 7 Prill, EMA tha se ekzistonte një “lidhje e mundshme” midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut. Disa vende të BE-së, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Holandën kanë rekomanduar përdorimin e vaksinës mbi 55 ose 60 vjeç, ndërsa vende të tjera si Danimarka kanë pezulluar përdorimin e tij plotësisht.
Kjo çoi në humbjen e besimit te qytetarët. Në mars, sipas një sondazhi nga YouGov, vetëm një e treta e gjermanëve dhe 23% e francezëve mendonin se vaksina ishte e sigurt.
BE paditi AstraZeneca, për ta detyruar atë të shpërndajë më shumë doza vaksinash. Kompania pranoi problemet në prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës por tha se ishte “plotësisht në përputhje” me kontratën e saj.
BE humbi betejën ligjore. Ajo kishte kërkuar që AstraZeneca të dorëzonte 120 milion doza në fund të qershorit, por gjykata vendosi që kompania duhet të dorëzojë 80 milion doza në fund të shtatorit, raporton abcnews.al
Eksporti i vaksinave
BE tha se MB ka pasur një avantazh të padrejtë në kontratat që nënshkroi me prodhuesit e vaksinave, disa prej të cilëve kanë fabrika në BE. Udhëheqësit e BE-së bënë thirrje për më shumë transparencë nga Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera në lidhje me numrin e dozave që eksportojnë.
BE tha se deri më 1 qershor 2021, ajo kishte eksportuar 245 milion doza në 46 vende të ndryshme.
A mund të nënshkruajnë vendet e BE-së marrëveshje me vende të tjera?
Sipas kushteve të skemës së BE, vendet anëtare nuk supozohet të nënshkruajnë marrëveshje me prodhuesit e vaksinave me të cilin BE-ja tashmë ka një marrëveshje, por ata mund të nënshkruajnë marrëveshje me prodhuesit e vaksinave të cilët nuk kanë nënshkruar marrëveshje me BE-në.
Hungaria ka miratuar vaksinën Sputnik ruse dhe Sllovakia gjithashtu ka blerë doza të saj. Gjermania tha në prill se do të fillojë bisedimet për të marrë doza të vaksinës ruse dhe Austria tha se do të blinte një milion doza, por vetëm pasi agjencia e europiane e barnave të miratojë vaksinën për përdorimin emergjent.
Republika Çeke dhe Polonia janë tashmë në bisedime me Rusinë dhe Kinën, raporton abcnews.al
A ishte më e shpejtë fushata e vaksinimit të Britanisë së Madhe për shkak të Brexit?
Mbretëria e Bashkuar miratoi vaksinën Pfizer në nëntor 2020, gati tre javë para rregullatorëve të BE. Qeveria pretendoi se të qenit jashtë BE e lejoi atë të ishte disa hapa më përpara.
Mbretëria e Bashkuar mund të ishte bashkuar me skemën e vaksinave që miratoi BE vitin e kaluar ndërsa ishte ende në një fazë tranzicioni me BE-në, por ajo zgjodhi të mos e bënte. Nëse do ta kishte bërë, Mbretëria e Bashkuar mund të mos nënshkruante kaq shumë marrëveshje me kompanitë e vaksinave./abcnews.al