Situata nga COVID-19, ministrja e Arsimit: Fëmijët në 1 shtator në bankat e shkollës

schedule19:51 - 16 Gusht, 2021

schedule 19:51 - 16 Gusht, 2021

Nëse do të vazhdojmë si sot padyshim nuk ka asnjë arsye që shkollat të mos fillojnë normalisht, kur jemi përpara faktit kur arsimtarët janë të vaksinuar, shumica e fëmijëve kanë edhe prindërit dhe gjyshërit të vaksinuar. Por do të shikojmë situatën dhe në varësi të saj do të jetë edhe vendimi për shkollat”.

Kështu deklaronte disa javë më parë, në 26 Korrik Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, por situata nga atëherë ka ndryshuar shumë dhe sot gjendemi përballë faktit që shifrat e të infektuarve që zbulohen cdo ditë nuk numërohen më me gishtat e dorës, por janë qindra.

Megjithatë dy javë nga fillimi i nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi shprehet se nxënësit në 1 shtator do të ulen në bankat e shkollës, ndryshe nga viti që u mbyll, që u zhvillua online dhe i alternuar.

Pak para nisjes së vitit të ri shkollor, vijon pa ndërprerje puna nëpër shkolla me sistemimet dhe riparimet e fundit në mënyrë që çdo gjë të jetë gati më 1 shtator për nxënësit e mësuesit tanë.

Faleminderit të gjithë punonjësve që angazhohen për të na sjellë ambiente shkollore më të sigurta, më të rregullta dhe më të pastra” shkruan Ministrja Kushi.

E ndërsa përgatitjet po bëhen që gjithçka të rikthehet në normalitet, në javët në vijim pritet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime nga Komiteti i Ekspertëve./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!