Numri i lartë i rasteve të reja me koronavirus ka bërë që Italia së fundmi të vendosë për mbylljen e kufijve me Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi.
Ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, përmes një postimi në Twitter, shkruan se Serbia, Mali i Zi dhe Kosova janë futur në listën e vendeve në rrezik.
“Atyre që kanë qenë atje në 14 ditët e kaluara, u ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit në Itali. Në botë, epidemia është në fazën më të vështirë. Kujdesi maksimal është i nevojshëm për të ruajtur përparimin e bërë deri më tani”, shkruan ministri.
Në kulmin e pandemisë së koronavirusit në mars dhe prill, Italia ka qenë epiqendër e infeksionit. Mbi 243,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa afro 35,000 kanë vdekur.
Numri i të infektuarve ka qenë në rënie në javët e fundit dhe ekonomia italiane është në rihapje e sipër. Gjithashtu në kuadër të masave mbrojtëse këtë javë edhe Austria ka ndaluar fluturimet për dhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Vendet e këtij rajoni kanë parë rritje të madhe të numrit të rasteve me koronavirus, në javët e fundit./abcnews.al