Situata në veri të Kosovës, Vuçiç takim me ambasadorët e Quint-it, BE-së, Rusisë dhe Kinës

schedule09:50 - 30 Maj, 2023

schedule 09:50 - 30 Maj, 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë – ashtu si edhe kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd.

Në takim mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.

Vuçiç, gjatë ditës, do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.

Takimet vijnë një ditë pasi protestues serbë në Zveçan – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës – u përplasën me ushtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Protestuesit në këtë komunë, ashtu si edhe në dy të tjera, Zubin Potok dhe Leposaviç, protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.

Protestat janë duke vazhduar edhe sot.

Mbrëmjen e së hënës, Vuçiç u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos përplasen me NATO-n./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!