Situata në Ukrainë, Blinken: Nëse Rusia vepron, SHBA do të reagojë

schedule14:56 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 14:56 - 3 Dhjetor, 2021

Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov shfaqën këndvështrime të kundërta gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp në prag të samitit të OSBE-së, për sigurinë ndërkombëtare në Stokholm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia shkëmbejnë akuza, duke pohuar njëkohësisht se nuk kërkojnë një konflikt në Ukrainën Lindore, por Uashingtoni dhe Moska akuzojnë njëra tjetrën se po shtyjnë situatën drejt një lufte.

Blinken këmbënguli dhe njëherë më shumë në paralajmërimet e tij për Rusinë duke thënë se qëndrimi i vendit ishte shqetësues për të gjithë. Ai shtoi se askush nuk mund të dijë qëllimet e presidentit rus Putin. Nuk dihet nëse ka vendosur të ndërmarrë një veprim agresiv kundër Ukrainës. Por ajo që dihet është se po krijon terrenin për ta bërë një gjë të tillë dhe kjo është shumë shqetësuese për shumë partnerë në Europë.

Sekretari amerikan i shtetit tha se ajo që është më shumë e rëndësishme është që Rusia të kuptojë se veprimet sjellin pasoja dhe këto të fundit janë reale, dhe aspak në interes të Rusisë. Zhvillimi i një konflikti nuk është në interes të askujt: Presidenti Biden ishte i qartë kur tha se nëse Rusia vepron, SHBA do të reagojë, përfundoi Blinken.

/abcnews.al