Situata e krijuar nga sulmet ruse në Ukrainë, këtë të enjte është komentuar nga të ftuarit në studion e ABC Live.
Konsull Nderi i Ukrainës Bledi Bajraktari dhe Mirgit Vataj përfaqësues i ministrisë së Brendshme kanë theksuar se vendi ynë është në dispozicion të emigrantëve ukrainas që ikin për të shpëtuar nga lufta, dhe deri më tani janë marrë të gjithë masat që ato të mos ndiejnë pengesën e asgjëje.
Vataj ka theksuar se në fokus të çdo gjëje është e rëndësishme që të ruhet identiteti i fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët shpallën të humbur nga familjet e tyre dhe për këtë ai thekson se të dhënat e tyre janë të regjistruar në rrjetin e përbashkët me shumë vende evropiane.
Ndër të tjera ai ka treguar rastin e një familje ukrainase, të cilët ishin përpjekur të largohen përmes një varke të improvizuar.
“Ne jemi anëtarë të rrjetit Evropian për fëmijët e humbur dhe në ato momente kemi sinjalizimin përmes këtyre numrave.
Një familje në një fshat të Kiev kishte improvizuar një varkë për të lëvizur nga një zonë e pushtuar në një tjetër dhe 10 nga personat që ishin 15 veta dhe ishte shpallur i humbur një fëmijë dhe dje erdhi njoftimi që ishte gjetur i pajetë, këto janë histori që të prekin dhe përfshihesh emocionalisht.
Ukraina me këtë që po ndodh do të bëjë që të ketë një brez që do të ketë probleme të mëdha jo vetëm me depresionin”, ka thënë ai.
Ndërkohë Bajraktari është shprehur se është për të ardhur keq nga e gjithë situata e krijuar në Ukrainë, duke theksuar se është vetëm maja e ajsbergut, pasi sipas tij në Mariupolin e shkatërruar mund të ketë mijëra viktima.
“Janë shtuar numri i ukrainasve të ardhur në Shqipëri që nga masakra që ka shpërthyer në Bucha, por unë do të them se është vetëm maja e ajsbergut, pasi kemi të bëjmë me një Mariupol të shkatërruar ku mund të ketë mijëra viktima”, është shprehur ai. /abcnews.al