Situata në Shkodër/Reagon Ministria e Mbrojtjes pas akuzave të Bashës

schedule20:46 - 23 Mars, 2018

schedule 20:46 - 23 Mars, 2018

Pas akuzave të kreut për Partisë Demokratike Lulzim Basha për situatën e përmbytjeve në Shkodër, ka reaguar edhe ministria e Mbrojtjes. Në njoftim për mediat, thuhet se ushtria në Shkodër vazhdon të jetë në këmbë 24 orë në 24, që prej minutës së parë.

“Kudo ku uji ka paralizuar jetën e njerëzve, në Obot, Dajç, Ana e Malit, Trush, Livadhë, Velipojë apo Bushat, që prej 5 Marsit e deri më sot vazhdojnë të jenë pranë çdo banori në vështirësi. Kushdo që thotë se, ushtria nuk e njeh terrenin mirë, me siguri ka shkuar vetëm në ato zona ku e gërryen meraku për militanët”. Për ne, thuhet në njoftimin e ministrisë së mbrojtjes, “banorët e Shkodrës janë qytetarë të Shqipërisë”.

Deri më tani, 26 familje janë evakuuar, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm. Bashkëpunimi mes forcave të ushtrisë, institucioneve të qeverisë dhe pushtetit vendor është detyrimi ynë i përbashkët, dhe vendosja e qytetarëve në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, është nderi i çdokujt që paguhet nga taksat e tyre! /abcnews.al