Mbetet endei lartë tensioni në Rripin e Gazës ndërkohë që mediat palestineze dhe ato izraelite japin informacione kontradiktore për funksionimin e armëpushimit. Moska u ka bërë apel palëve që t’i rikthehen dialogut.
Pas një nate të tensionuar, e karakterizuar nga sulme të përsëritura ajrore të aviacionit izraelit, situata në Rripin e Gazës duket ti jetë kthyer normalitetit. Orët e fundit nuk ka pasur më sulme dhe sipas mediave vendore armëpushimi më në fund ka hyrë në fuqi. Sipas udhëzimeve rë autoriteteve të Hamas, të gjitha shkollat dhe institucionet publike janë hapur ndërsa nga spitalet është hequr gjendja e alarmit. Në bombardimet e një dite më parë mbetën të plagosur 25 palestinezë, pothuajse të gjithë në gjendje të rëndë.
Këshilli i sigurisë së Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet për të diskutuar situatën në lindjen e mesme pas hedhjes së raketave nga rripi i Gazës në Izrael dhe ofensivën kundër Hamas.
Moska ndërkohë ka reaguar duke I kërkuar izraelitëve dhe palestinezëve që të rinisin menjëherë dialogun dhe të respektojnë armëpushimin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se Hamas duhet ta ketë të qartë se nuk do të ketë asnjë hezitim për të reaguar ashpër në mbrojtje të sogurisë së Izraelit.
Por informacionet vijojnë të mbeten kontradiktore pasi një burim politik izraelit ka bërë të ditur për të përditshmen Haretz se nuk ka asnjë armëpushim në fuqi me Hamasin.
Tensionet u përshkallëzuan kur një raketë e lëshuar nga Rripi i Gazës goditi një shtëpi në verilindje të Tel Aviv duke plagosur 7 izraelitë mes të cilëve dy fëmijë. Ushtria izraelite reagoi duke sulmuar nga ajri rripin e Gazës.