Situata në Poloni, flet Dobi: E kam familjen 2000km larg, po punojmë si ‘Big Brother’

schedule20:27 - 27 Mars, 2020

schedule 20:27 - 27 Mars, 2020

Enkeleid Dobi, trajneri shqiptar në Poloni, ka folur për emisionin Studio Sprint në ABC News. Në një intervistë me moderatorin e emisionit, Gerti Çarçani, ish-futbollisti i njohur tregoi se si po punon nga shtëpi, si dhe tregoi situatën ku Polonia ndodhet aktualisht.

“Çka mund të themi? Si në të gjithë botën, ashtu dhe në Poloni. Është një situatë e paprecedentë, dramatike, sporti ka kaluar në plan të dytë, gati në plan të tretë. Gjithsesi, është pjesë e jetës sonë dhe nuk mund ta ndajmë dot.

E rëndësishme është shëndeti mbi të gjitha, njerëzit tanë të afërt, njerëzit në të gjithë botën, që në këtë situatë të vështirë që na ka gjetur, të na kalojë sa më shpejt dhe të rikthehemi në jetën normale.

Po bëjnë stërvitje individuale, falë teknologjisë. Futbolli nuk është teknologji, por teknologjia po e ndihmon futbollin. Po mundohemi të ndihmojmë falë teknologjisë, situata është dramatike dhe të gjithë futbollistët, të punojnë në mënyrë individuale.

Nuk po themi që situata në Poloni është më mirë se në vendet e tjera, situata është e njëjtë. Më e rëndësishmja është se shteti i Polonisë e kapi pak më përpara, mori mësim dhe eksperiencë nga situata që po krijohej në të gjithë Europën. Që nga data 10 mars, jemi të gjithë në karantinë.

Futbollistët kanë plan stërvitor secili, po bëjnë stërvitje individuale, ka aplikacione që na lejon t’i vëzhgojmë futbollistët, tamam si “Big Brother”. Mendoj se futbollisti profesionist duhet të jetë i vetëdijshëm për situatën që është krijuar, për mënyrën se si duhet të punojë.

Ai është i përgjegjshëm dhe nuk ka nevojë t’i rrish gjatë gjithë kohës mbi kokë. Futbollisti i ka hyrë futbollit për dy shkaqe: Çdo njeri në botë bën atë që di të bëjë më mirë, ose atë që dashuron ta bëjë.

Tani për tani, nuk mund të themi asgjë, do të mbyllet apo jo sezoni. Jemi gjithë kohës në pritje. Sot, Federata Polake, në ndihmesë të futbollit profesionist dhe amator, ndau një fond 30 milion euro. Ky ishte një gjest i jashtëzakonshëm, duhet falënderuar Federata. Në këtë situatë të vështirë, e rëndësishme është gjendja shëndetësore.

Edhe për mua nuk është e lehtë të jetoj këtu në këtë lloj kohe, pasi kam prindërit mbi 2000km larg. Këtu në Poloni, ka pasur vetëm 16 të vdekur, pasi e kemi kapur më herët. Në Itali, shifrat janë të frikshme. Faleminderit”, përfundoi Dobi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!