Për situatën në Partinë Demokratike, aktualisht të “ndarë” mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ish-presidenti i Republikës Bamir Topi shprehet se ka dy lloje ndjenjash. Së pari ai tregon se ndjen keqardhje pasi bëhet fjalë për një parti ku ka dhënë kontributin e tij personal prej vitesh dhe së dyti ndihet mirë pasi siç u shpreh ai “uji duhet të turbullohet, që më pas të kthjellohet.”
Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “ABC Live”, ish-presidenti tha se ai po sheh të përplasen kokë më kokë dy personazhe që nuk i kanë lënë shije dhe respekt në konsumin e marrëdhënieve të tyre politike. Megjithatë, ai shtoi se marrëdhënien e ka pasur më të ngushtë me liderin historik, kurse Bashën e cilësoi si një produkt politik të Sali Berishës.
Duke folur për mënyrën sesi kreu aktual i PD u fut në parti në vitin 2005, Topi shprehet: “Nuk u përdor mekanizmi politik, u përdor futja në struktura nëpërmjet një strukture jo puro politike. Erdhën ekspertë që u futën shumë shpejt në listat e kandidatëve për deputetë. Mekanizmi erdhi si ekspertizë e pastaj në grup, iu dhanë pozicione të rëndësishme ministrore. Basha pati pozicione të rëndësishme. Ka qenë i preferuar. Kam parë skena në vijimësi të një mungese kimie mes zonjës Topalli dhe tij. Ndonjëherë zonjat kanë më shumë intuitë për të dalluar riskun.”
Nga këndvështrimi i Bamir Topit, drama e madhe e liderit historik të PD është se po sheh veten politikisht të vrarë nga krijesa e tij. Ndërsa, i pyetur se kë do të zgjidhte ai për në krye të PD, ish-presidenti thotë se Berisha dhe Basha janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës të situatës.
Dhe, parashikimi i Topit për fundin e kësaj “beteje” është se Basha dhe “babai i tij politik” do të neutralizojnë njëri-tjetrin duke defaktorizuar imazhin e PD-së dhe opozitës në tërësi.
“Berisha sot është më i butë sot. Ka humbur moralin, ka humbur aleatë. Ka humbur edhe moshën. Ka një konfrontim me krijesën e tij. Janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Do ta neutralizojnë njëri-tjetrin duke defaktorizuar imazhin e PD dhe opozitën…Ka ardhur koha që të mendohet për një rigjenerim total të së djathtës.”
Por a del fituese PS nga kjo betejë mes demokratëve? Sipas Bamir Topit, jo.
“PS po ushqen konfliktin. Paradoksalisht është njeriu që këtë lloj komoditeti do ta paguajë. Duke mos pasur opozitë do bëjë gabime. Kur je komod humbet shumë reflekse, gjykimi bëhet mbrapa.” /abcnews.al/