Situata në Kosovë/ Ekspertët: Pritet të ngadalësohet rritja ekonomike, tensionet me Serbinë frikësojnë investitorët e huaj

schedule14:49 - 20 Qershor, 2023

schedule 14:49 - 20 Qershor, 2023

Tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës po shtojnë rreziqet për ekonominë e vendit. Shqetësimet e para kanë ardhur nga komuniteti i biznesit dhe investitorët e huaj që paralajmërojnë të largohen për shkak të pasigurive të larta. Ndërkohë që situata nuk duket optimiste as në shifrat e buxhetit.

Shpenzimet publike raportohet të jenë ulur ndjeshëm në pjesën e parë të këtij viti në 13.9% krahasuar me para pandemisë kur rezultonin 18.8%. Ish ministri i Financave të Kosovës, Haki Shatri dhe Naim Huruglica, ish drejtori i doganave folën në emisionin “Sheshi i dollarit” për këtë çështje.

Huruglica tha se është ende herët për të përcaktuar dëmet e shkaktuara nga tensionet në veri dhe bllokimi i kamionave me mallra në pikat kufitare por shtoi se vlerësohet se humbjet më të mëdha do të jenë për bizneset kosovare pasi një pjesë e tyre marrin edhe lëndë të para për prodhimet në vend.

Ndërkohë, Shatri theksoi se tensionet në veri stepin investitorët e huaj. Ai shtoi se qeveria Kurti nuk i ka kushtuar kujdesin e mjaftueshëm zhvillimit ekonomik. Ai thotë se në dy vitet e fundit rreth 500 milionë euro kanë mbetur të paangazhuara, të destinuara për investime në infrastrukturë, ekonomi apo fusha të tjera.

“Pas situatës së rëndë para tre vitesh me pandeminë, pastaj kriza me rritjen e çmimeve prej shkak të luftës në Ukrainë, ekonomia e Kosovës po përballet me telashe të reja nga situata në veri. Pasojat e zhvillit ekonomik do të lënë gjyrmë të pashlyeshme në rrjedhat e zhvillimit.

Në këtë situatë krijohen probleme të reja që kanë dekurajuar edhe investitorët potencial të jashtëm që të investojnë në Kosovë.  Kjo qeveri në vitin e tretë, aspektit ekopomik nuk po i kushton kujdes të mjaftueshëm dhe si pasojë edhe ato pak mjete në disponim për investime.

Në dy vitet e kaluara nuk janë realizuar në tërësi dhe rreth 500 milionë euro kanë mbetur të paangazhuara, të destinuara në infrastrukturë, ekonomi dhe tjetër.  Kjo e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe për shkak të inflacionit, në dy vite bashkë arrin në 20 përqind.

Pa llogaritur edhe pasojat e mosrealizimit të projekteve në infrastrukturë. Si rezultat norma e rritjes së GDP në 2022 ka rënë në tre përqind, një normë e ulët dhe e pamjaftueshme për zgjidhjen e problemeve tona.”, theksoi mes të tjerash ish ministri i Financave.

Huruglica shtoi më tej se nëse problemet me Serbinë nuk do të shkojnë drejt zgjidhjes, interesi i investitorëve të huaj do të bjerë pasi e shohin vendin si të paqëndrueshëm. Ai thotë se do të vërehet një ngadalësim i rritjes ekonomike ndërsa shtoi se ekziston edhe rreziku për recesion.

“Kosova nuk ka një ekonomi të zhvilluar, nuk është vend industrial. Akoma rritje ekonomike bazohet në rritjen e konsumit që vazhdon të mbështetet nga ana e diasporës. Diaspora kosovare konsiderohet si nxitësi kryesor i rritjes ekonomike që do të jetë më e ulët se viti paraprak. Të gjithë këto faktorë që përfshijnë edhe inflacionin të lartë që ishte në 2022 dhe tani rritjen e kostos së parasë. Tani bankat janë më të shtrenjta me paratë që japin për investime dhe as sektori privat s’i përballon dhe kam frikë se do të vërejmë një ngadalësim të rritjes ekonoomike. Uroj që të mos jetë recesion.“, tha Huruglica./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!