Situata në qarkun Fier paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të shiut me intensitet mesatar deri në të lartë që kanë rënë gjatë natës.
Sipas strukturave vendore të Mbrojtjes Civile dhe Sallës Operative në Fier, deri në këto momente nuk janë raportuar problematika apo emergjenca. Akset rrugore janë të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje.
Po ashtu dhe hidrovorët ndodhen në gatishmëri pune.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin mbeten në kuota normale. Ndërkohë, niveli i prurjeve në lumin Vjosë ka arritur në 6.1 metra në Urën e Mifolit, në krahun e Fierit, me një tendencë në rritje.
Pas komunikimit me Drejtorinë e Emergjencave Civile në Bashkinë Fier, është kërkuar kalimi në gatishmëri i strukturave operacionale, si dhe njoftimi i banorëve, njësive ekonomike dhe blegtorëve që ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë për të treguar kujdes dhe për të ndjekur udhëzimet.
Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet.


