“Situata në Ballkan, shqetesuese”, ministrja e Jashtme gjermane vizitë në Shqipëri, pritet të diskutojë për tensionet Kosovë-Serbi

schedule10:42 - 5 Tetor, 2023

schedule 10:42 - 5 Tetor, 2023

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock do të vizitojë Shqipërinë, në një periudhë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Baerbock do të bisedojë me liderët e dy vendeve dhe do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve që t’i ulin tensionet, në margjinat e një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ka thënë zyra e Ministrisë së Jashtme gjermane.

Takimet në Shqipëri do të mbahen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, për të promovuar bashkëpunim mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë është përshkallëzuar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmit është vrarë një zyrtar policor ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues. Baerbock ka thënë se situata në rajonin e Ballkanit është “shqetësuese”.

“Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për të hequr dorë nga dhuna”, tha ajo.

Sipas saj, fakti që ushtria serbe ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën tregon një hap fillestar të rëndësishëm, por duhen marrë edhe hapa shtesë drejt uljes së tensioneve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!