Situata me kontrollorët, Rama: Kishin bërë llogari djallëzore, por u dolën gabim

schedule18:37 - 8 Prill, 2021

schedule 18:37 - 8 Prill, 2021

Nga Gjirokastra gjatë takimit me ekipin e 25 prillit kryeministri Edi Rama u ndal sërish tek situata në Rinas, ku prej dy ditësh u pezulluan fluturimet për shkak se kontrollorët e kullës së vrojtimit u futën në grevë.

Sipas kryeministrit gjithçka ishte një plan i mirëmenduar, pasi kontrollorët duan kohë të zëvendësohen dhe siç thotë ai kjo do të sillte kaosin në vend. Megjithatë, kreu i qeverisë thotë se llogaritë ishin bërë gabim.

“Sot sa herë vjen në Gjirokastër ka gjithmonë gjëra të reja. Është kënaqësi të ecësh në rrugët e Gjirokastrës që të shikosh dyer të tjera që hapen, bujtina, shkallë që restaurohen, mure që pastrohen dhe njerëz që angazhohen në një zinxhirë ekonomik që zgjatet. Nuk ka qenë 700 apo 70 vjet më parë por vetëm 7 vjet më parë kur Gjirokastra kishte vetëm një hotel. Sot mundësitë për të qëndruar dhe vendet ku mund të zgjedhësh të qëndrosh janë shumë dhe vetëm shtohen.

 Ne nuk mund të dorëzohemi. Sot jemi në kushtet kur karakteri jonë është testuar si ato testet që i bëhen metalit na zjarr. Është testuar në një përballje të jashtëzakonshme. E ktheu mandatin tonë të dytë në një kohë lufte. Përballë sfidave të kësaj lufte ja ku jemi sot. Kemi marrë kthesën për të dalë në një tjetër lartësi. Ne jemi sot në kushtet e reja të vaksinimit masiv. Këto ndodhin se karakteri ynë është ky.

E patë çfarë ndodhi dje? Një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve jetësore të vendit, qarkullimi ajror. Kontrollorët ajrorë nuk janë punonjës dosido që zëvendësohen dhe llogaritë ishin bërë në mënyrë shumë djallëzore. Koha për ti zëvendësuar është disa javë dhe aq duheshin për të kthyer rrumpallën. Por i kishin bërë hesapet gabim. Vaksinat u vonuan për fat të keq, humbën një ditë. Sot tani, vaksinat mbërritën dhe kaluan gjithë natën duke luftuar mos iknin në një drejtim tjetër. kacafytja për të marrë vaksinat është botërore.

Vaksinat mbërritën në Shqipëri dhe ne do të vazhdojmë se jemi të vendosur që sezonin e ri turistik ta kemi shumë më të lehtësuar.

 Në 25 prill vendimi është shumë i qartë do t’i fitojmë këto sfida apo do të vazhdojmë avazin për të shkuar përsëri në drejtim të paditur,” deklaroi Rama.  g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!