Situata e zjarreve/ Peleshi: Vatrat në Laç dhe Vlorë janë shuar plotësisht. Në Fier, Tepelenë dhe Finiq po punohet nga terreni

schedule16:09 - 23 Gusht, 2023

schedule 16:09 - 23 Gusht, 2023

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje lidhur me situatën e zjarreve në vend. Ministri Niko Peleshi sqaron se është bërë e mundur shuarja e zjarrit në kurorën me pisha të Laçit ndërsa vijon puna nga terreni për të izoluar vatrën e zjarrit në fshatin Sinanaj të bashkisë Tepelenë dhe në fshatin Grazhdan në Finiq.

“Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme kanë bërë të mundur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin. Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike qe prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorihet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor.

Gjithashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë. Në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht. Fal ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive.

Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatin Jarua, bashkia Fier ku është shmangur rreziku për banesat. Në fshatin Sinanaj, në bashkinë Tepelenë, punohet nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit. Puna vijon edhe në fshatin Grazhdan, në bashkinë e Finiqit për normalizimin e vatrës pas riaktivizimit.”, njofton Peleshi./abcnews.al