Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ka bërë një bilanc të situatës së zjarreve në vendin tonë. Në aktivitetin ku prezent ishte edhe kreu i qeverisë Edi Rama, Çako u kujdes të falënderonte forcat që kanë marrë pjesë në aksionin për shuarjen e flakëve në vend si dhe vendet e huaja për ndihmën e dhënë.
Ndalur tek drejtuesit vendorë, Çako citoi prefektët e qarqeve dhe strukturat vendore dhe u ndal duke përmendur emrat e kryetarët e Bashkive të Gjirokastrës dhe Fushë Arrëzit si dy nga zonat më të prekura, ndërkohë që në Vlorë , Çako shmangu emrin e Lelit duke falënderuar prefektin Flamur Manaj.
“Bazuar në kuadrin ligjor është ngritur Mbrojtja Civile një strukturë ndërinstitucionale për të arritur objektivat me qëllim anëtarësimin në mekanizmin e mbrojtjes civile europiane. Jemi përballur me tërmetin, pandeminë dhe zjarre që kanë kërkuar kapacitete njerëzore. Me ardhjen e stinës së verës Shqipëria u përfshi nga zjarre të konsiderueshme dhe përmasa të mëdha.
Ndër më masive përmendim zjarrin në zonën e mbrojtur të Karaburunit, Gjirokastër ku humbën jetën dhe dy qytetarë. Ndonëse u aktivizuan kapacitetet tona u konsiderua e domosdoshme kërkimi i asistencës në qendrat europiane. Holanda, Çekia dhe SHBA mundësuan dërgimin e helikopterëve për operacionin nga ajri. Për përballimin e 389 vatrave të zjarrit janë angazhuar helikopterë të forcave të armatosura, Holandës dhe Çekisë.
Nga vlerësimet e ekspertëve janë raportuar të djegura kullota dhe pyje. Situata e zjarreve dhe dëmet e shkaktuara evidentuan gatishmërinë e forcave të Mbrojtjes Civile në Shqipëri. Një falënderim për prefektët e qarqeve dhe strukturat vendore, një veçanti për prefektin e Vlorës Flamur Manaj, kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit zotin Fran Tuçi dhe të tjerë. Respekt dhe falënderim për partnerët tanë kombëtar”, tha ai.
As vetë kryeministri Edi Rama apo ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nuk e përmendën emrin e Lelit duke evidentuar vetëm kontributin e Flamur Manajt në përballimin e situatës së zjarreve në vend. m.v/abcnews.al