Pas dy vitesh pritet që edhe në Superiore të përdoret sistemi VAR, sigurisht në impiantet që ta ofrojnë këtë mundësi: “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Air Albania Stadium”. Edhe në Kosovë po e mendojnë diçka të tillë, por nuk janë kushtet.
Dardanët momentalisht kanë vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” të licencuar për të luajtur ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që shumica e klubeve në Kosovë lënë për të dëshiruar në aspektin e infrastrukturës.
Në lidhje me aplikimin e sistemit VAR në Kosovë, ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i FFK, Eroll Salihu, a i cili për KosovaPress ka sqaruar: “Do të fillojmë hap pas hapi, së pari do të fillojmë me ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës.
Do trajnohet stafi e më pas do të mundohemi në disa prej ndeshjeve të Superligës ta përdorim sistemin VAR. E dimë që një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë dhe e kushtueshme për Federatën e Futbollit të Kosovës, por me ndihmën e Federatës Daneze të Futbollit, shpresojmë që t’ia dalim”. /abcnews.al