SHQIPËRI- Sistemi bankar në Shqipëri është i qëndrueshëm me tregues mjaft optimist. Vlerësimi është bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili thekson se ka pasur një ulje të fortë të nivelit të kredive të këqija duke u ulur nga 25% në 2014 në 5% në 2024 dhe rreth 4% gjatë këtij viti.
Në raportin e Fondit Monetar theksohet se gjatë dekadës së fundit, sektori bankar shqiptar ka pësuar një transformim të ndjeshëm, i mbështetur nga performanca e fortë makroekonomike dhe reformat financiare të qëndrueshme.
Në një analizë të imtësishme mbi kapitalin dhe likuiditetin theksohet se sektori bankar është gjerësisht rezistent ndaj goditjeve nga kreditë me probleme dhe ndryshimet në normat e interesit.
Pronësia e huaj e aktiveve bankare ra nga 90 për qind në vitin 2013 në 65 për qind në 2024, duke reduktuar rrezikun e infektimit nga goditjet e jashtme, sipas agjencisë financiare.
Por pavarësisht këtyre treguesve pozitiv FMN rekomandon që autoritetet shqiptare të vazhdojnë përpjekjet për rritjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare.
Ndërkohë në raportin e dytë analizohen luhatjet e kursit të këmbimit dhe vlerësimi I monedhës kombëtare. Prej kohesh euro qëndron në nivelin e 99 lekëve ndërsa dollari amerikan ka rënë në rreth 87 lekë.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar kjo është e nxitur nga ecuria makroekonomike , fluksi turistik I regjistruar së fundmi remitancat dhe investimet. Pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë e cila tërhoqi nga tregu rreth 932 milion euro leku vijoi të qëndroi i mbivlerësuar ndaj monedhës europiane dhe dollarit.
FMN vlerëson se mbiçmi i lekut është pozitiv pasi mban nën kontroll nivelin e çmimeve dhe inflacionit. Shqipëria ka rezultuar një ndër vendet me nivelin më të ulët në rajon./abcnews.al