“Nuk ishte vrasje aksidentale”. Kështu deklaroi kreu i qeverisë Edi Rama gjatë konferencës nga Ministria e Brendshme teksa ministri Bledi Çuçin mori drejtimin e këtij institucioni. Rama tha se zbardhja e vrasjes së Klodian Rashës u bë në kohë rekord, ndërsa theksoi se cilësimi ngjarje aksidentale u bë për akordimin e pensionit të veçantë.
“Djali u vra në rrethana të cilat tanimë janë zbardhur dhe nuk ka kaluar një muaj apo një vit por vetëm pak ditë dhe reagimi ndaj kësaj ngjarje nga ana e policisë së Shtetit në radhë të parë, e ministrisë së Brendshme dhe strukturave të tjera më pas nuk krahasohet për mirë me reagime të ngjashme për vrasje të caktuara.
Sot ka akoma të vrarë që kërkojnë drejtësi. Ka edhe të vrarë që vrasjet e të cilëve janë kthyer në film dhe është arritur të manipulohen provat. Janë ngjarje të bashkëkohësisë sonë. Një efektiv i policisë vret një njeri dhe policia e Shtetit gjëja e parë që bën është heq dorë sepse ka konflikt interesi dhe SHÇBA merr përsipër situatën. Siç është në standartin ligjor dhe moral. Në kohë reale jepen njoftimet dhe në anën tjetër fillon trazimi i luëgeve pirunëve, thikave, tepsive, kazanëve për të deformuar ecurinë e një procesi kaq delikat.
Pensioni i veçantë është një akt marrje përgjegjësie. E paska rivrarë viktimën duke e quajtur vrasjen aksidentale. Gjuha është e qartë. Aksidentalisht nga veprimet e policisë. Ndryshe nuk do kishte marrë pension të veçantë”, tha Rama./mv.abcnews.al