Siri, ushtria e Assad vijon masakrën në Gutën Lindore

schedule14:15 - 21 Shkurt, 2018

schedule 14:15 - 21 Shkurt, 2018

Vijon masakra në Gutën Lindore në Siri, ku aviacioni i regjimi të Assad ka kryer bombardime të reja në ditën e katërt të ofensivës. Në sulmet e fundit 5 persona kanë humbur jetën, mes tyre dhe 2 fëmijë. Që prej së dielës mendohet se janë vrarë mbi 250 persona.

Përtej dënimeve të bombardimeve dhe thirrjeve për ndalimin e tyre, ushtria dhe aviacioni që mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad vijon me ofensivën në Gutën Lindore, zonë kjo e kontrolluar nga rebelët dhe që ndodhet në afërsi të Damaskut. Edhe në ditën e katërt të ofensivës janë shënuar viktima në civilë, bilanci flet për 5 të vrarë gjatë të mërkurës, mes të cilëve dhe dy fëmijë. Gjithashtu mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Që prej së dielës, bombardimet në rajonin në afërsi të Damaskut kanë çuar bilancin, në mbi 250 civilë të vrarë dhe mijëra të plagosur. Përveç bombave, avionët e regjimit të Assad kanë lëshuar sëfundmi edhe bomba-fuçi, një armë kjo që dënohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkohë në bombardimet e fundit ka marrë pjesë edhe aviacioni rus, një aleat i presidentit sirian, që ka lëshuar bomba në Gutën Lindore për herë të parë pas 3 muajsh.

Nga ana tjetër ka ardhur edhe një reagim nga rebelët opozitarë. Në Gutën Lindore, grupime afër Al-Kaedës dhe të tjerë të mbështetur nga Arabia Saudite kanë lëshuar raketa dhe mortaja në drejtim të Damaskut. Sipas të dhënave 11 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

“Bombardimet e civilëve duhet të përfundojnë menjëherë. Situata është përtej imagjinatës”, është shprehur kordinatori i OKB-së për ndihmat humanitare në Siri, Panos Moumtzis./abcnews.al