Presidenti rus ka urdhëruar ndërprerjen e sulmeve në Siri. Urdhëri i Vladimir Putin parashikon një pezullim disaorësh të operacioneve ajrore në enklavën e Gutës, që do të aplikohet në bazë ditore.
Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ndërprerjen e sulmeve në zonën e Gutës lindore, në Siri. Ndërprerja do të nisë ditën e martë, do të jetë 5 orë në ditë dhe do të shërbejë për krijimin e një korridori humanitar, që do t’u mundësojë civilëve të largohen. Enklava ku janë bllokuar rreth 393 mijë civilë, një bastion i rebelëve, është gjendur nën bombardimin intensiv të forcave qeveritare siriane, të ndihmuara nga aleatët rusë. Mbi 550 persona kanë mbetur të vrarë në 8 ditë sulme.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka saktësuar se “pushimi humanitar” do të jetë në fuqi nga ora 9 e mëngjesit deri në 14. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi të shtunën e kaluar për një armëpushim 30-ditor, që do të angazhonte të gjitha palët e përfshira në konflikt dhe do të shtrihej në të gjithë Sirinë. Rusia u akuzua nga vendet e tjera anëtare se kishte vonuar votimin për disa ditë me radhë, duke kërkuar një sërë ndryshimesh në dokument. Sidoqoftë, Observatori sirian për të drejtat e njeriut ka bërë me dije se 31 persona janë vrarë në Guta që nga miratimi i rezolutës. Ndërkohë, vetëm këtë të hënë 17 vetë humbën jetën nga sulmet me artiljeri në qytetet Duma dhe Harasta./abcnews.al